Kompletohen vazot për kualifikueset e Euro 2028: Kosova në vazon e tretë, pa përballje me Shqipërinë
Me përfundimin e fazës së grupeve të Ligës së Kombeve u kompletuan edhe vazot për shortin e kualifikueseve të Euro 2028. Siç njofton Telegrafi, humbja 3-0 në Dublin ndaj Irlandës, në një ndeshje që Kosova e luajti me një lojtar më pak nga minuta e 26-të pas përjashtimit të Kreshnik Hajrizit, e la përfaqësuesen në vazon e tretë.
Në vazon e parë janë Anglia, Portugalia, Franca, Gjermania, Spanja, Belgjika, Holanda, Danimarka, Greqia, Italia, Norvegjia dhe Kroacia. Vazoja e dytë përbëhet nga Uellsi, Serbia, Turqia, Çekia, Zvicra, Suedia, Austria, Hungaria, Irlanda e Veriut, Sllovenia, Bosnja e Hercegovina dhe Irlanda.
Kosova gjendet në vazon e tretë së bashku me Shqipërinë, Skocinë, Ukrainën, Poloninë, Rumaninë, Izraelin, Gjeorgjinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Islandën dhe Sllovakinë. Duke qenë në të njëjtën vazo, Kosova dhe Shqipëria nuk mund të bien në të njëjtin grup.
Në vazon e katërt janë Estonia, Bjellorusia, Ishujt Faroe, Qipro, Finlanda, Moldavia, Armenia, Bullgaria, Luksemburgu, Kazakistani, Letonia dhe San Marino, ndërsa vazoja e pestë mbyllet me Maltën, Azerbajxhanin, Lituaninë, Andorrën, Gjibraltarin dhe Lihtenshtajnin.
Sipas rregullave të UEFA-s, Kosova nuk mund të jetë në grup as me Serbinë e as me Bosnjë e Hercegovinën. Në kualifikuese marrin pjesë 54 përfaqësuese në 12 grupe: 12 fituesit e grupeve dhe tetë nënkampionët më të mirë kualifikohen drejtpërdrejt, ndërsa vendet e mbetura vendosen përmes sistemit të play-off-it dhe vendeve të nikoqirëve.
Shorti tërhiqet më 6 dhjetor nga ora 18:00, kualifikueset nisin në mars 2027, ndërsa Kampionati Evropian zhvillohet nga 9 qershori deri më 9 korrik 2028 në katër vende organizatore.