E mërkurë, 18 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Buxheti 2027 për bujqësinë dhe zhvillimin rural/ Salla prezanton fondin prej 18 miliardë lekësh, 10% më shumë se në viti

Buxheti 2027 për bujqësinë dhe zhvillimin rural/ Salla prezanton fondin prej 18 miliardë lekësh, 10% më shumë se në viti

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi sot në seancën plenare të Kuvendit projektbuxhetin e vitit 2027 për sektorin e bujqësisë, duke bërë të ditur se financimi total arrin në 18 miliardë lekë, ose 10% më shumë krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2026.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale pas fjalës në Kuvend, ministri Salla detajoi shpërndarjen e fondeve sipas prioriteteve kryesore, të cilat fokusohen te zhvillimi rural, siguria ushqimore, peshkimi, modernizimi i infrastrukturës dhe digjitalizimi:

  • Zhvillimi rural- 8,4 miliardë lekë të dedikuara për mbështetjen e drejtpërdrejtë të fermerëve dhe investimet në ferma.
  • Siguria ushqimore- Rreth 3 miliardë lekë për forcimin e kontrolleve dhe rritjen e kapaciteteve laboratorike.
  • Këshillimi bujqësor dhe peshkimi- 872 milionë lekë për shërbimet e këshillimit bujqësor dhe 727 milionë lekë për sektorin e peshkimit dhe akuakulturës, krahas investimeve në rrjetet e ujitjes dhe kullimit.

Lehtësitë fiskale për fermerët

Krahas fondeve buxhetore, ministri theksoi se projektbuxheti i vitit 2027 shoqërohet edhe me masa fiskale në mbështetje të prodhimit vendas, ku veçohet dyfishimi i fondit për kompensimin prej 10% të autofaturave të fermerëve.

“Më shumë mbështetje për fermerët, ulje të kostove të prodhimit, investime dhe siguri ushqimore, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë shqiptare dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian”, deklaroi ministri Salla.

Lini një koment