Sherr fqinjësh në Gjirokastër, komshiu s’i lejon portën e garazhit në pronën qindra vjeçare
Një konflikt mes fqinjëve në Gjirokastër ka vënë në lëvizje Policinë Bashkiake, pas denoncimit të Vasillaq Çakallit, i cili kërkonte prishjen e portës metalike të garazhit të Llambi Kotros. Ky i fundit pretendon se prona, një banesë me oborr dhe baçe, që daton prej vitit 1718, është trashëgimi familjare dhe disponon dokumentacion hipotekor që prej vitit 1996.
Megjithatë, për shkak të problemeve në Kadastër, prona nuk është pajisur ende me certifikatë pronësie dhe baçja figuron si tokë shtetërore.
Policia Bashkiake i kishte kërkuar disa herë verbalisht prishjen e portës, pa i vënë fillimisht në dispozicion dokumentacion zyrtar.
Pas ndërhyrjes së “Stop”, Policia Bashkiake u tërhoq nga kërkesa për prishje, duke sqaruar se pretendimet mes fqinjëve duhet të zgjidhen në gjykatë. Ndërkohë, çështja e pronësisë së trashëguar mbetet ende pezull në Kadastër.