E mërkurë, 18 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Arkivat, ekspozitë mbi marrëdhëniet Shqipëri-Poloni

Arkivat, ekspozitë mbi marrëdhëniet Shqipëri-Poloni

Marrëdhëniet më shumë se 100-vjeçare mes Shqipërisë dhe Polonisë, përtej komunikimit zyrtar dhe diplomatik, janë sjellë në vëmendje përmes dokumenteve historike në një ekspozitë të veçantë të organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, në bashkëpunim me Ambasadën e Polonisë në Tiranë.

Ekspozita “Marrëdhëniet Shqipëri-Poloni përmes dokumenteve arkivore” u çel në kuadër të aktiviteteve për Ditën Kombëtare të Polonisë, duke prezantuar dokumente dhe dëshmi të ruajtura në fondet arkivore, të cilat pasqyrojnë zhvillimin e lidhjeve mes dy popujve në periudha të ndryshme historike.

Në aktivitet morën pjesë drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Auron Rrokaj, i ngarkuari me punë i Ambasadës së Polonisë në Tiranë, Wojciech Unolt, përfaqësues të trupit diplomatik dhe të ftuar të tjerë.

Rrokaj, vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe theksoi rëndësinë e vijimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit institucional.
“Para një jave patëm një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Arkivave të Polonisë, me të cilin vendosëm të firmosim një marrëveshje bashkëpunimi. Në datat 3 dhe 4 dhjetor, një delegacion i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave do të shkojë në Krakovë, ku do të zhvillojë takime me Drejtorin e Përgjithshëm të Arkivave të Polonisë dhe do të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare. Do të nisim një rrugë të ngushtë bashkëpunimi, si dy institucione që merremi me historinë dhe kulturën e dy popujve respektivë”, tha drejtori i përgjithshëm i DPA-së.
Nga ana e tij, i ngarkuari me punë i Ambasadës së Polonisë në Tiranë, Wojciech Unolt u shpreh i befasuar nga larmia e marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat, siç dëshmohet nga dokumentet, shtrihen përtej komunikimit zyrtar dhe diplomatik.
“Prezantimi i dokumenteve këtu tregon marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Përtej rrafshit të marrëdhënieve diplomatike dhe atyre zyrtare, ato dëshmojnë gjithashtu për një realitet shumë të dendur të jetës së përditshme, të kontakteve dhe ndërveprimeve mes njerëzve.
Kështu, mes këtyre dokumenteve, përveç atyre zyrtare, mund të gjeni dëshmi që flasin për shkencëtarë polakë që kanë punuar në Shqipëri, për shqiptarë që kanë studiuar në Poloni apo për artistë shqiptarë që kanë punuar në Poloni. Ka madje edhe dokumente që lidhen me turistë polakë, të cilët e kanë vizituar Shqipërinë në vitin 1937, gjë që për mua ishte tejet befasuese. Ekziston edhe një kërkesë e një shtetasi polak drejtuar mbretit Zog në vitin 1937, për t’u bashkuar me Forcat e Armatosura Shqiptare. Ky është një episod që meriton të hulumtohet më tej: çfarë ndodhi me këtë person dhe a iu dha vërtet leja apo jo? Pra, këto janë të gjitha tema që mund të hulumtohen dhe të diskutohen më gjerë”, tha Wojciech Unolt.
Ekspozita do të qëndrojë për pesë ditë në ambientet e Muzeut Arkivor, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të njihen nga afër me dokumente dhe dëshmi historike që pasqyrojnë një kapitull të rëndësishëm të lidhjeve mes Shqipërisë dhe Polonisë.

Lini një koment