E mërkurë, 18 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Gonxhja: I pavërtetë lajmi se Teatri i Kukullave do të ndryshojë funksion

Gonxhja: I pavërtetë lajmi se Teatri i Kukullave do të ndryshojë funksion

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja i konsideroi sot të pavërteta pretendimet që po qarkullojnë në disa medie për ndryshimin e funksionit të Teatrit të Kukullave, ndërsa konfirmoi se nuk do të ndryshojë destinacion dhe as nuk do të bëhet një qendër kulturore hebraike.

“Pretendimet që po qarkullojnë në media dhe rrjete sociale, marrë shkas nga një dalje dhe aludim i gazetarit Blendi Fevziu, për ndryshimin e funksionit të godinës historike të Teatrit të Kukullave nuk qëndrojnë. Keqardhje që më duhet të përgënjeshtroj një mik e një gazetar që kishte çdo mundësi e akses të pyeste përpara se të nxitonte të lëshonte një hipotezë të tillë që nuk ia kishte borxh as Teatri i Kukullave, as ekipi i shkëlqyer që e animon e as publiku i vogëlushëve dhe prindërve që atë institucion e duan si drita e syve. Jo se qendrat e kulturave të tjera janë herezi, aspak, por se është e gabuar të përdoret një realitet kaq simbolik duke e përshkruar si të zëvendësueshëm nga diçka që për shkak të aktualitetit do krijonte një ngarkesë të re që të ushqente fantazi e paranoja absurde”, u shpreh Gonxhja.

Sipas tij, e vërteta është se Teatri i Kukullave vijon të jetë një nga qendrat më të dashura kulturore për fëmijët dhe familjet në Tiranë.

“Një hapësirë ku arti, imagjinata dhe edukimi bashkohen çdo ditë përmes shfaqjeve dhe aktiviteteve të shumta, për të cilat mbahet radhë. Vetëm në shtatë muajt e parë të vitit 2026, Teatri i Kukullave ka realizuar 158 shfaqje, atmosferë magjike e argëtim, ndjekur nga 16,725 spektatorë. Krenari e mirënjohje për menaxhimin profesional e të pakursyer”, u shpreh Ministri.

Gonxhja theksoi se godina historike, pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të kryeqytetit, është restauruar dhe rijetëzuar përmes programit EU4Culture, të financuar nga Bashkimi Europian dhe të zbatuar nga UNOPS, duke u rikthyer në funksion të plotë për publikun sipas projektit tonë.

“Sot, përveç skenës teatrore, kjo godinë mirëpret edhe Ekspozitën Muzeale të Kukullave dhe Ekspozitën Muzeale të ish-Parlamentit, duke ndërthurur krijimtarinë artistike me historinë, nostalgjinë dhe kujtesën tonë kombëtare. Teatri i Kukullave ka një identitet të qartë, një program të vazhdueshëm dhe mijëra spektatorë që i japin jetë. Respekti për ndjeshmëritë e njerëzve duhet të prijë çdo publikim e sidomos çdo debat, duke evituar dezinformimin”, u shpreh ministri Gonxhja.

Lini një koment