SPAK regjistron procedim penal për vjedhjen e 69 mln lekëve në Postën e Durrësit, dyshohet edhe deputetja Etleva Budini
SPAK ka regjistruar procedim penal për zhdukjen e 69 milionë lekëve të reja nga filiali i Postës Shqiptare në Durrës, siç njofton Shqiptarja.com. Dosja iu kalua Prokurorisë së Posaçme pasi Prokuroria e Durrësit shpalli moskompetencë, ndërsa të enjten, më 19 nëntor, në SPAK u hodh shorti dhe u caktua prokurori i çështjes.
Kalimi i dosjes lidhet me dyshimin se përvetësimi i shumës, rreth 700 mijë euro, mund të jetë kryer nga një grup i strukturuar kriminal dhe se hetimet mund të shtrihen te ish-zyrtarë që sot gëzojnë imunitet parlamentar.
Ngjarja u zbulua pas një kontrolli të brendshëm të Postës Shqiptare. Gjatë prillit dhe majit të këtij viti, 69 milionë lekë u regjistruan si transferta drejt degëve të Shijakut dhe Krujës, por nuk mbërritën kurrë në destinacion. Sipas dosjes hetimore, ishin 11 mandat-pagesa, ndërsa kamerat e sigurisë dokumentuan lëvizjen e parave nga kasaforta drejt zyrave të përgjegjësve të degëve.
Të arrestuar në këtë çështje janë ish-drejtoresha Elisabeta Mataj, ish-shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana. Dyshohet e përfshirë edhe deputetja e Partisë Socialiste Etleva Budini, ish-drejtore e Postës Shqiptare në Durrës. Çdo person prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë.