Mbanin lëndë narkotike dhe armë të ftohta, arrestohet 44-vjeçari në Kuçovë, procedohet vëllai i tij
Një 44-vjeçar është arrestuar në Kuçovë, ndërsa vëllai i tij 40-vjeçar është proceduar penalisht në gjendje të lirë, pasi siç njofton Policia e Shtetit, në dy subjektet e tyre mbaheshin lëndë narkotike me qëllim shitjen dhe armë të ftohta.
Arrestimi u krye nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të kontrolleve të përhershme në ambiente të ndryshme për konstatimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale. I arrestuari është shtetasi L. T., 44 vjeç, banues në Kuçovë, ndërsa procedimi nisi për vëllanë e tij, shtetasin F. T., 40 vjeç.
Gjatë kontrollit në berberhanen dhe në banesën e 44-vjeçarit u gjetën sasi dhe doza të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa, që posedoheshin me qëllim shitjen, si dhe përforcues grushti, të cilat u sekuestruan.
Ndërkaq, në servisin për automjete të 40-vjeçarit u gjetën dy mjete prerëse (thika).
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.