E enjte, 19 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Ndalohen dy persona në Lezhë për abuzim seksual me një 15-vjeçare, 46-vjeçarja dyshohet se ndërmjetësoi takimin

Ndalohen dy persona në Lezhë për abuzim seksual me një 15-vjeçare, 46-vjeçarja dyshohet se ndërmjetësoi takimin

Dy persona janë ndaluar në Lezhë në lidhje me një rast abuzimi seksual me një shtetase të mitur, siç njofton Policia e Shtetit në reagimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë për rastin e transmetuar më 17 nëntor 2026 në emisionin investigativ “Stop”.

Sipas Policisë, shërbimet e saj, menjëherë pas transmetimit të rastit, kryen verifikimet dhe veprimet e nevojshme hetimore e procedurale për dokumentimin ligjor të rastit dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale. Policia komunikoi edhe me familjarët e së miturës, njëri prej të cilëve, shtetasi A. K., u paraqit dje në Komisariatin e Policisë Lezhë dhe bëri kallëzim për rastin.

Në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të DVP Lezhë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë, në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, u ndalua shtetasi E. K., 32 vjeç, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”, dhe shtetasja A. Gj., 46 vjeçe, për veprat penale “Trafikimi i të miturve” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Shtetasi E. K. dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me shtetasen e mitur 15 vjeçe, e cila dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, ndërsa shtetasja A. Gj. dyshohet se ka ndërmjetësuar takimin e të miturës me shtetasin E. K.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme. DVP Lezhë falënderon stafin e emisionit “Stop” për bashkëpunimin dhe garanton se çdo indicie apo denoncim për cenimin e të drejtave dhe sigurisë së të miturve trajtohet me seriozitet maksimal.

Lini një koment