E enjte, 19 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Shiste fishekzjarrë dhe kapsolla të kontrabanduara në dyqan dhe online, arrestohet 18-vjeçari në Durrës, procedohet 24-vjeçari

Shiste fishekzjarrë dhe kapsolla të kontrabanduara në dyqan dhe online, arrestohet 18-vjeçari në Durrës, procedohet 24-vjeçari

Një 18-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Durrës, ndërsa një 24-vjeçar është proceduar penalisht, pasi siç njofton Policia e Shtetit, është goditur një rast i magazinimit dhe tregtimit të lëndëve piroteknike të dyshuara të kontrabanduara.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, në vijim të kontrolleve për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, zbuluan një dyqan në lagjen nr. 12, ku shiteshin lëndë piroteknike të kontrabanduara.

I arrestuari, shtetasi R. C., 18 vjeç, banues në Durrës, dyshohet se shiste në dyqan dhe online fishekzjarrë dhe kapsolla të dyshuara të kontrabanduara, të cilat i magazinonte në banesë.

Procedimi penal nisi për shtetasin O. D., 24 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi është kapur afër banesës së 18-vjeçarit, duke transportuar me automjet fishekzjarrë dhe kapsolla që i kishte marrë nga kjo banesë, me qëllim për t’i fshehur.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan qindra fishekzjarrë dhe kapsolla, të llojeve të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara, dhe 2 celularë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Lini një koment