Përfundon samiti historik Xi-Trump-Putin në Shenzhen, 4 pikat kryesore të dakordësuara
Ka përfunduar takimi i parë historik trepalësh mes presidentit kinez Xi Jinping, presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, i zhvilluar në Shenzhen të Kinës. Bisedimet zgjatën pak më shumë se 90 minuta dhe u përqendruan te çështjet kryesore të sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në përfundim të takimit, tre liderët dolën me një deklaratë të përbashkët, ku u evidentuan disa çështje me rëndësi për rendin ndërkombëtar.
Katër pikat kryesore të diskutuara lidhen me:
Shmangien e një lufte bërthamore: Tre liderët theksuan rëndësinë e parandalimit të një konflikti bërthamor dhe nevojën për çarmatimin bërthamor.
Reformën e OKB-së: U diskutua për nevojën e reformimit të institucioneve ndërkombëtare dhe forcimit të bashkëpunimit mes fuqive të mëdha.
Çështjet energjetike: Në fokus ishte edhe situata e karburanteve dhe zhvillimet në tregjet energjetike.
Gjykatën Penale Ndërkombëtare: U trajtua edhe çështja e qëndrimeve dhe përmbajtjes në raport me Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Gjatë takimit, Xi Jinping nënvizoi rëndësinë e mirëkuptimit dhe komunikimit mes Kinës, SHBA-së dhe Rusisë, duke vënë theksin te domosdoshmëria e shmangies së një konflikti bërthamor.
Nga ana e tij, Donald Trump foli për mundësinë e reduktimit të arsenalit bërthamor, duke pranuar se një proces i tillë është i vështirë për t’u realizuar. Ai kritikoi gjithashtu liderët ndërkombëtarë që refuzojnë të mbajnë kanale komunikimi me Moskën dhe Pekinin.
Ndërsa presidenti rus Vladimir Putin theksoi përgjegjësinë e përbashkët që kanë tri fuqitë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në botë.
Përpara takimit trepalësh, tre liderët zhvilluan edhe kontakte dypalëshe, ku në agjendë ishin lufta në Ukrainë, zhvillimet në Iran dhe çështjet tregtare.