Rrugëtimi i Ismail Qemalit nga kancelaritë evropiane drejt shpalljes së Pavarësisë
114 vjet më parë, më 19 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali la Triesten dhe iu drejtua Durrësit, pasi kishte mbyllur etapën e fundit të takimeve në kancelaritë evropiane.
Plaku i urtë i Vlorës preku tokën shqiptare më 21 nëntor, ndërsa u prit 1 ditë më vonë në qelën e Dom Nikollë Kaçorrit, i cili do të ishte pas një jave edhe zëvëndëskryeministri i parë i qeverisë së përkohshme të Vlorës.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton letërkëmbimin mes Eqrem Bej Vlorës dhe Mustafa Krujës, sipas të cilit ngritja e flamurit ishte menduar të bëhej më 22 nëntor në Durrës, me qëllim parandalimin e përparimit të mëtejshëm të ushtrive pushtuese në territorin e vendit.
Por situata e nderë në qytet nuk e lejoi dhe Ismail Qemali lajmëroi telegrafisht delegatët nga mbarë vendi që të shkonin në Vlorë. Në momentet që forcat serbe përparonin me shpejtësi drejt Shqipërisë së Mesme, rrethet patriotike të Elbasanit më 25 nëntor, të Tiranës e Durrësit 26 nëntor, të Kavajës, të Peqinit dhe të Lushnjës 27 nëntor, ngritën flamurin kombëtar, pa pritur mbledhjen e Kuvendit të Vlorës.