Bienalia Ndërkombëtare e Grafikës rikthehet në Galerinë e Artit Tiranë
Në Galerinë e Artit Tiranë është hapur edicioni i dytë i Bienales Ndërkombëtare të Grafikës, me rreth 190 vepra artistike nga 24 shtete të ndryshme.
Ekspozita bashkon artistë ndërkombëtarë të cilët vijnë në këtë ekspozitë me teknika, stile dhe koncepte të ndryshme të artit grafik, duke prezantuar identitete kulturore, përvoja dhe këndvështrime të ndryshme artistike. Ky edicion i dytë vjen pas katër vitesh ndërprerjeje. Drejtuesi i saj, Abaz Hado, u shpreh për mediet se realizimi i këtij edicioni ishte një domosdoshmëri për të vijuar rrugëtimin e aktivitetit dhe për të mos lejuar që vështirësitë e momentit të pengonin zhvillimin e tij.
Sipas Hados, pjesëmarrja e artistëve nga 24 vende, mes të cilëve edhe emra të njohur të artit, dëshmon rëndësinë që ka fituar kjo bienale dhe përbën një hap drejt konsolidimit të saj si aktivitet ndërkombëtar.
Një tjetër element i rëndësishëm është pasurimi i fondit të Galerisë së Artit Tiranë me vepra të grafikës ndërkombëtare. Edicioni i parë i bienales u pasua nga dhurimi i rreth 240 punimeve nga artistët pjesëmarrës, të cilat tashmë janë pjesë e fondit muzeal të galerisë.
Përmes kësaj nisme, bienalja shërben edhe si një hapësirë për shkëmbimin artistik dhe bashkëpunimin mes krijuesve nga vende të ndryshme.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 28 nëntor në Galerinë e Artit Tiranë.