E enjte, 19 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Futbolli ne Kosove›Pse talentët e diasporës po e zgjedhin Kosovën, statistikat e Ligës së Kombeve flasin vetë

Pse talentët e diasporës po e zgjedhin Kosovën, statistikat e Ligës së Kombeve flasin vetë

Kosova dhe Shqipëria e kanë mbyllur edicionin e Ligës së Kombeve me nga gjashtë ndeshje, por mënyra se si i kanë shfrytëzuar futbollistët në dispozicion tregon një dallim të madh, sidomos te hapësira e dhënë për lojtarët e rinj. Sipas analizës së Telegrafit, pikërisht ky dallim po e shpjegon pse talentët e diasporës po e zgjedhin gjithnjë e më shumë fanellën e Dardanëve.

Dardanët garuan në Ligën B, një nivel më lart se Shqipëria, e cila ishte pjesë e Ligës C. Kundërshtarët më të fortë nuk e penguan përzgjedhësin Franco Foda t’u besojë emrave të rinj: në bazë të statistikave të minutave, Kosova aktivizoi 29 futbollistë në gjashtë ndeshjet, ndërsa Shqipëria 25.

Dallimi thellohet te grupmosha nën 23 vjeç. Kosova aktivizoi pesë futbollistë të kësaj grupmoshe — Erblin Osmanin, Bleon Kurtulusin, Leon Avdullahun, Dion Gallapenin dhe Dion Kacurin — të cilët së bashku grumbulluan 1.047 minuta, rreth 17,9 për qind të të gjitha minutave të skuadrës. Shqipëria, në anën tjetër, aktivizoi katër të rinj — Samuele Sinën, Luis Hasën, Feta Fetain dhe Klevi Qefalijën — me vetëm 141 minuta në total, apo rreth 2,4 për qind të minutave. Të rinjtë e Kosovës, pra, kanë marrë më shumë se shtatë herë më shumë minuta se bashkëmoshatarët e tyre te Shqipëria.

Avdullahu dhe Gallapeni janë shembujt më të mirë të këtij besimi, me nga 481 minuta secili. Kacuri ka luajtur 81 minuta, ndërsa më të rinjtë, Osmani dhe Kurtulus, kanë marrë nga tri, respektivisht një minutë. Te Shqipëria, Sina ka regjistruar 90 minuta, Hasa 34, Qefalija 16 dhe Fetai vetëm një minutë.

Te bërthama e përvojës, Shqipëria u mbështet te Adrian Ismajli (540 minuta), Berat Gjimshiti (495), Kristjan Asllani (523) dhe Rey Manaj (425), ndërsa te Kosova shtylla ishin Mërgim Vojvoda dhe Ilir Krasniqi me nga 540 minuta.

Sipas Telegrafit, kjo hapësirë për të rinjtë mund të jetë një argument vendimtar në garën për talentët e diasporës: mundësia për minuta reale dhe për një rol të rëndësishëm në projekt e bën Kosovën më tërheqëse. Së fundmi, Lutfi Dalipi dhe Enis Rexhepi zgjodhën pikërisht Kosovën para Shqipërisë. Edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, e ka pranuar publikisht se Shqipërisë i duhet t’u japë më shumë hapësirë lojtarëve të rinj.

Të dyja kombëtaret kthehen në aksion në muajin mars, ndërsa kundërshtarët e kualifikimeve për Euro 2028 i mësojnë më 6 dhjetor 2026.

Lini një koment