E enjte, 19 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Futbolli ne Kosove›“Prizren, a jeni gati”: Liria fton tifozët për ndeshjen e parë nën reflektorë në “Përparim Thaçi”

“Prizren, a jeni gati”: Liria fton tifozët për ndeshjen e parë nën reflektorë në “Përparim Thaçi”

Lideri i Ligës së Parë, Liria, ka paralajmëruar një mbrëmje të veçantë futbolli në Prizren, ku për herë të parë do të luajë nën dritën e reflektorëve në stadiumin “Përparim Thaçi”, siç njofton Telegrafi.

Klubi prizrenas ka zgjuar entuziazmin e tifozëve me një njoftim në faqen zyrtare, përpara përballjes me Rilindjen 1974, e vlefshme për javën e 17-të të Ligës së Parë. “Prizren, a jeni gati”, është mesazhi me të cilin klubi i ka ftuar tifozët të jenë pjesë e kësaj mbrëmjeje.

Përballja vjen në një moment shumë të mirë për skuadrën e Ismet Munishit, e cila pas 16 xhirove prin në tabelë me 39 pikë, gjashtë më shumë se Prishtina e Re e vendit të dytë (33), ndërsa Ferizaj është i treti me 30 pikë. Për Lirinë, kampione vjeshtore, ndeshja është edhe një mundësi për ta vazhduar marshimin drejt rikthimit në elitë.

“Këtë të diel, Prizreni do të përjetojë një moment historik. Për herë të parë në historinë e qytetit tonë, një ndeshje futbolli do të zhvillohet në mbrëmje, nën dritën e reflektorëve të stadiumit. Dhe pikërisht në këtë mbrëmje të veçantë, ne kemi mundësinë të festojmë edhe një tjetër sukses: shpalljen e KF Liria kampion vjeshtor! Prandaj, ftesa ime është e sinqertë dhe vjen nga zemra: të dielën, në orën 17:00, ejani sa më shumë në stadiumin e qytetit”, ka shkruar drejtori i përgjithshëm i klubit, Arben Ahmeti.

Ndryshe, klubi prizrenas këtë sezon ka pësuar ndryshime të shumta në kryesi, me Agon Elshanin dhe Fati Namlegjiun në udhëheqje, Arben Ahmetin drejtor të përgjithshëm dhe ish-futbollistin Valon Bytyqi drejtor sportiv.

Lini një koment