Ekspozuan armë në rrjete sociale, policia në Rahovec ua sekuestron pushkën automatike dhe snajperin
Policia e Kosovës ka sekuestruar armë dhe municion në Rahovec, pasi personat e dyshuar kishin publikuar fotografi dhe i kishin ekspozuar armët në rrjetet sociale, siç njofton Policia e Kosovës, sipas raportimit të KosovaPress.
Sipas njoftimit të Policisë, zyrtarët e Stacionit Policor në Rahovec, përmes rrugëve operative dhe hetimore, i identifikuan personat e dyshuar.
Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, policia realizoi kontrolle në objektet e banimit të të dyshuarve, ku u gjetën dhe u sekuestruan një pushkë e gjatë automatike, një pushkë snajper dhe 25 fishekë të kalibrave të ndryshëm, raporton Telegrafi.
Prokurori i Shtetit urdhëroi inicimin e rastit penal për veprat “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Hetimet për rastin po vazhdojnë.