OVL UÇK paralajmëron protesta gjithëpopullore nëse Ligji për Specialen vazhdon të zvarritet
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur shqetësim për zhvillimet politike rreth plotësim-ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke paralajmëruar se nëse procesi vazhdon të zvarritet dhe nuk përfundon së shpejti, do të ketë protesta gjithëpopullore, siç raporton Telegrafi.
Në reagimin e saj për media, OVL UÇK u ka bërë thirrje shumicës parlamentare dhe të gjitha subjekteve politike që t’i lënë anash dallimet partiake dhe ta përfundojnë sa më parë këtë proces.
Sipas organizatës, është tërësisht e papranueshme që kjo çështje kaq e rëndësishme të zvarritet për shkak të përplasjeve politike apo presionit të bashkësisë ndërkombëtare, dhe është e pandershme që një çështje kaq e ndjeshme të shfrytëzohet për ndasi politike.
OVL UÇK kërkon që plotësim-ndryshimet të miratohen me procedurë të përshpejtuar, brenda afatit më të shkurtër që lejojnë procedurat parlamentare dhe institucionale.
Sot pritej të hidhej në votim Ligji për Dhomat e Specializuara, por kjo nuk ndodhi pasi seanca plenare e Kuvendit u shty deri në njoftimin e radhës, siç raporton KosovaPress. Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi hartimin e një ligji të ri, me draftin e parë gati javën e ardhshme, dhe tha se qëndrimi i tij ndaj Gjykatës Speciale mbetet i pandryshuar që nga pranvera e vitit 2015.