Pësojnë pak, Karoglan stabilizon mbrojtjen! Partizani përmirësohet në repartin më problematik
Nga Olsi Avdiaj, Panorama Sport
Mislav Karoglan ka nisur të ndryshojë Partizanin, në një nga repartet më të diskutuara te të kuqtë. Të kuqtë po konfirmojnë se po përmirësohen në aspektin difensiv, duke pësuar pak gola në ndeshjet e fundit.
Në 4 takimet e fundit në kampionat, Partizani ka pësuar vetëm një gol. Një shifër e kënaqshme, që tregon se skuadra ka filluar të marrë ekuilibrat e duhur në fushë, pavarësisht problemeve që ajo pati në startin e këtij edicioni.
LLOGARITJET – Në 11 javët e para të sezonit, Partizani ka pësuar 10 gola, pra më pak se një gol për ndeshje, një e dhënë statistikore që ngre në tjetër nivel mbrojtjen e të kuqve. Edhe në këtë renditje skuadra e Karoglan renditet në vendin e gjashtë për golat e pësuar. Kjo është ende një renditje e largët me objektivat e klubit, por me ritmin e javëve të fundit, ky është një tjetër aspekt që përmirësohet ndeshje pas ndeshje.
Pra, edhe pse Partizani ka nisur sezonin me vështirësi në disa aspekte të lojës, skuadra po kërkon të përmirësohet në çdo aspekt. Një hap i madh drejt forcimit të Partizanit të ri dhe drejt ngjitjes në renditjen e përgjithshme në vazhdimin e këtij edicioni të kampionatit.
Tri javët e fundit mund të jenë një pikënisje për ndryshimin e skuadrës dhe nisjen e një tjetër serie pozitive. Më pak se një muaj më parë, Partizani ishte në vendin e 10-të, por me ardhjen e Karoglanit situata duket të jetë ndryshe. Në tre takimet e fundit, të kuqtë kanë barazuar me Elbasanin (1-1) dhe Dinamon (0-0), ndërsa kanë fituar kundër Vllaznisë me rezultatin 2-0.
Kujtojmë që Partizani në këtë moment mban vendin e dhjetë në klasifikimin e kampionatit.