E enjte, 19 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Abissnet Superiore›Elbasani shpërdoron, Glen Daja kërkon më shumë shënjestër

Elbasani shpërdoron, Glen Daja kërkon më shumë shënjestër

Nga Vladimir Mema, Panorama Sport

Verdheblutë kanë një problem që po u kushton pikë në javët e fundit të kampionatit. Humbja e rasteve të pastra për shënim është kthyer në një shqetësim serioz për stafin teknik, problematikë që u evidentua edhe në transfertën e fundit ndaj Vllaznisë në Shkodër, ku Elbasani u largua i mundur.

Skuadra ka treguar se arrin të krijojë mundësi të mira përpara portës kundërshtare, por mungesa e konkretizimit po penalizon përpjekjet e saj. Pikërisht ky është një nga aspektet ku trajneri Glen Daja kërkon përmirësim përpara sfidës së radhës me Dinamon, ku objektivi mbetet rikthimi te fitorja.

PROBLEM QË PËRSËRITET – Në ndeshjet e fundit, Elbasani nuk ka vuajtur vetëm për të marrë rezultatet e dëshiruara, por edhe për të shfrytëzuar mundësitë që i janë krijuar gjatë lojës. Raste që në shumë momente kanë qenë ideale për të gjetur rrugën e rrjetës, por që nuk janë konkretizuar. Kjo situatë ka bërë që skuadra të mos marrë maksimumin nga ndeshjet, pavarësisht rasteve të krijuara. Edhe në Shkodër, përballë Vllaznisë, mungesa e saktësisë në momentet vendimtare ishte një prej problemeve që ndikuan në rezultatin përfundimtar.

PROVAT E DAJËS – Trajneri Glen Daja e ka evidentuar këtë mangësi dhe gjatë seancave stërvitore po kërkon më shumë përqendrim në fazën e finalizimit. Porositë e teknikut janë që futbollistët të mos falin më përpara portës dhe të tregohen më të saktë në momentet kur u jepet mundësia për të shënuar. Vëmendja kryesore shkon te sulmuesit, të cilët kanë përgjegjësinë për të konkretizuar aksionet dhe për të bërë diferencën në zonën kundërshtare.

Për një skuadër që kërkon të rikthehet te rezultatet pozitive, efikasiteti përpara portës është një element që nuk mund të lihet pas dore. Përballja e radhës me Dinamon vjen si një tjetër provë për repartin ofensiv të Elbasanit. Verdheblutë do të kërkojnë jo vetëm të marrin tri pikët, por edhe të tregojnë se kanë përmirësuar një prej problematikave që i ka shoqëruar gjatë javëve të fundit. Përballë një kundërshtari që kërkon të njëjtin rezultat, çdo rast i shpërdoruar mund të peshojë në fatin e ndeshjes.

Për këtë arsye, Glen Daja kërkon një skuadër më të vendosur dhe më të saktë në momentet vendimtare. Tashmë mbetet që puna e zhvilluar gjatë javës të japë rezultat në fushë. Elbasani ka nevojë të shënojë më shumë nga rastet që krijon, pasi vetëm kështu mund të shmangë përsëritjen e gabimeve që i kanë kushtuar pikë deri më tani.

Lini një koment