E enjte, 19 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Abissnet Superiore›Okazionet për klubet shqiptare, ja lojtarët që janë pa kontratë

Okazionet për klubet shqiptare, ja lojtarët që janë pa kontratë

Superiorja mund të përfitojë nga ata që nuk kanë kontratë. Partizani dhe Vllaznia kanë bërë disa hapa, por të lirë janë qindra futbollistë. Shqiptarë janë disa, të cilët kanë qenë dhe janë pjesë e kombëtares. Fakt është që merkatoja mund të ofrojë disa mundësi interesante për klubet shqiptare që kërkojnë të përforcojnë skuadrat pa shpenzuar për kartonin e futbollistëve.

Në listën e lojtarëve shqiptarë që aktualisht rezultojnë pa kontratë spikasin disa emra me eksperiencë dhe vlera të ndryshme në treg. Emri më i spikatur është padyshim ai i Elseid Hysajt. Mbrojtësi i djathtë, 32 vjeç, ka një vlerë të vlerësuar prej 800 mijë eurosh dhe është pa kontratë që prej 1 korrikut 2026. Hysaj përfaqëson një luks për futbollin shqiptar dhe një emër të tillë është e vështirë ta imagjinosh në këtë moment duke u rikthyer për të luajtur në Shqipëri.

Pavarësisht se emri i tij është përmendur në lidhje me Vllazninë, një transferim i tillë mbetet i vështirë për t’u realizuar. Një tjetër emër në këtë listë është Kamer Qaka. Mesfushori 31-vjeçar, i cili ka shtetësi shqiptare dhe kosovare, vlerësohet 150 mijë euro dhe rezulton pa kontratë që prej 24 korrikut 2026. Në listë janë edhe Fjoart Jonuzi, mesfushor qendre 30-vjeçar me vlerë 100 mijë euro, si dhe Albi Doka, mbrojtës i djathtë 29-vjeçar, vlera e të cilit vlerësohet në 50 mijë euro.

Plotëson listën Luis Bircaj, 23 vjeç, i cili aktivizohet si sulmues krahu i djathtë dhe ka një vlerë tregu prej 50 mijë eurosh. Këta pesë futbollistë përfaqësojnë alternativa që mund të shqyrtohen nga klubet shqiptare në kërkim të përforcimeve. Duke qenë se janë pa kontratë, transferimi i tyre nuk do të kërkonte pagesën e kartonit, megjithëse kushtet personale dhe të tjera financiare do të mbeteshin për t’u negociuar.

Lini një koment