Një muaj paraburgim të pandehurit për sulm ndaj personit zyrtar në Gjilan
Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 1 (një) muaji të pandehurit S. K. i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale sulm ndaj personit zyrtar.
Në njoftim bëhet e ditur se “sipas kërkesës së prokurorisë me datë 17.11.2026, rreth orës 14:00, në Gjilan, rruga ,,Martirët e Gjilanit’’, i pandehuri i ka sulmuar personat zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, të dëmtuarit Zh. S. dhe R. J. – shpërndarës në Gjykatën Themelore në Gjilan, në atë mënyrë që, derisa të dëmtuarit janë ndalur në lagjen e ,,Zabelit’’ me qëllim të gjetjes së një adrese dhe personit me emër L. K. dhe nga vetura i dëmtuari e ka pyetur të pandehurin nëse e njeh personin L. K.. Në atë moment i pandehuri afrohet tek dera e veturës dhe fillon ta godas me grushte, duke e kapur për bluze dhe duke e goditur me dorën tjetër, nga vetura del i dëmtuari R. i cili tenton ta ndaloj, por e godet edhe të dëmtuarin R. me grusht në kokë dhe largohet, ku i dëmtuari Zh. ka pësuar lëndime të lehta trupore, i cili për shkak të lëndimeve ka kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan – Emergjencë”.
Tutje thuhet se më këto veprime i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale sulmi ndaj personit zyrtar, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, duke i marrë për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, ndërsa masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/