Rasti i Arlinda Zekaj, intervistohet drejtorja e Mirëqenies Sociale: Jam gjykuar e lincuar padrejtësisht
Komisioni Hetimor Parlamentar ka nisur intervistimin e Albulena Muja Bajraktarit, drejtoreshë e Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës, lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Intervistimi po zhvillohet në kuadër të punës së Komisionit, i cili po shqyrton rrethanat dhe çështjet institucionale që lidhen me këtë rast.
Gjatë deklarimit të saj, Muja Bajraktari e cilësoi këtë përballje si një nga më të vështirat në aspektin njerëzor, duke theksuar se e ndjera ishte bashkëvendase e saj.
Ajo gjithashtu kundërshtoi, siç tha, gjykimet dhe akuzat që i janë adresuar në lidhje me rastin.
“E kam shumë të rëndësishme të them që është njëra nga përballjet më të vështira për mua, jo për shkak të punës, por në bazë njerëzore, pasi tashmë e ndjera është bashkëvendase e imja dhe pa të drejtë jam gjyku e linçu me detyrime e gjykime të cilat nuk më takojnë”, deklaroi ajo.
Duke folur për përgjegjësitë e pozitës që mban, drejtoresha theksoi se nuk merret drejtpërdrejt me trajtimin e rasteve individuale dhe as me marrjen e vendimeve për to.
“Jam drejtor politik, nuk trajtoj raste direkt dhe nuk jap vendime. Jam drejtor politik në kuptimin që hartoj politika për zhvillimin e fushës sociale në nivel lokal. Kjo është përgjegjësia. Në këtë post jam në mandatin tim të dytë”, tha Muja Bajraktari.
Ndryshe, Arlinda Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj në Vitomiricë të Pejës. Rasti ka nxitur reagime dhe vëmendje publike, ndërsa Komisioni Hetimor po shqyrton përgjegjësitë dhe veprimet institucionale që lidhen me të. /Telegrafi/