Ghetto Geasy dhe Kida koncert në Michigan këtë të diel
Komuniteti shqiptar në Michigan do të ketë një event interesant muzikor , teksa dy nga emrat më të njohur të muzikës shqiptare, Getoar Selimi dhe Orhidea Latifi, do të performojnë këtë të diel, më 5 prill, në një mbrëmje që pritet të mbledhë një numër të madh pjesëmarrësish.
Eventi organizohet nga “Shqipëria Etnike Events” dhe “Europa Madness Entertainment”, duke sjellë në skenë dy artistë që kanë lënë gjurmë në muzikën moderne shqiptare.
Getoar Selimi, i njohur si Ghetto Geasy, është një nga figurat më të rëndësishme të hip-hop-it shqiptar. Me një karrierë të gjatë që nis që nga vitet ’90 si pjesë e grupit Tingulli 3nt, ai ka prodhuar një sërë hitesh që vazhdojnë të dëgjohen gjerësisht nga publiku shqiptar.
Në të njëjtën mbrëmje do të performojë edhe Orhidea Latifi, një nga këngëtaret më të suksesshme të brezit të ri. Me stilin e saj të veçantë dhe këngët që kanë arritur miliona dëgjime, Kida mbetet një nga artistet më të kërkuara në skenën muzikore shqiptare.
Koncerti do të zhvillohet në adresën 45849 Mound Rd, Shelby Township, Michigan. Dyert do të hapen në orën 9:00 PM, ndërsa biletat janë në dispozicion online, me çmim 50 dollarë për hyrje të përgjithshme dhe 70 dollarë për VIP.
Organizatorët presin një pjesëmarrje të lartë dhe rekomandojnë që rezervimet të bëhen sa më herët.
Ky event pritet të sjellë një atmosferë energjike dhe një natë të paharrueshme për dashamirësit e muzikës shqiptare në zonën e Detroit-it dhe më gjerë.
