KRM “Ambienti” i drejtohet pesë komunave për intervenim në deponinë e mbeturinave në Sferkë të Thatë
Kompania Rajonale e Mbeturinave “Ambienti” ka bërë të ditur se me iniciativë dhe kërkesë të Kryeshefit Ekzekutiv, Diedon Berisha, u është drejtuar pesë komunave Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik, kërkesa për mobilizimin e mekanizimit dhe kapaciteteve operative, me qëllim të mbulimit me dhe të deponisë sanitare në Sferkë të Thatë.
KRM “Ambienti” thekson se është duke vepruar me të gjitha kapacitetet e saj operative dhe mekanizimin në dispozicion, duke ndërmarrë vazhdimisht veprime konkrete për menaxhimin e situatës së krijuar nga zjarri dhe mbulimin e zonave të prekura me dhe.
“Në kuadër të kësaj iniciative për bashkëpunim ndërkomunal, deri më tani përgjigje pozitive për mobilizim dhe mbështetje me mekanizim kanë dhënë Komuna e Klinës, Komuna e Istogut dhe Komuna e Deçanit, ndërsa mbetet në pritje përgjigjja e komunave të tjera”, thuhet në njoftim.
KRM “Ambienti” thekson se angazhimi i përbashkët është planifikuar për ditën e premte, me synim intensifikimin e punimeve dhe përshpejtimin e procesit të mbulimit të deponisë me dhe.
KRM “Ambienti” ka shpreh falënderimin për komunat që janë përgjigjur pozitivisht ndaj kësaj kërkese dhe vlerëson rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit institucional në përballimin e kësaj situate. /Telegrafi/