E premte, 20 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Gjendja emergjente në energji, Bajrami: Kjo i bie që për 60 ditë energjia mund të ndërpritet kurdo dhe kudo

Gjendja emergjente në energji, Bajrami: Kjo i bie që për 60 ditë energjia mund të ndërpritet kurdo dhe kudo

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka theksuar se meqenëse Kuvendi ka miratuar vendimin e Qeverisë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë i bie që për 60 ditë energjia mund të ndërpritet kurdo dhe kudo.

Bajrami në një postim në Facebook shkruan se ky vendim nuk e përmirëson furnizimin me energji, ky vendim e mbron KEDS/KESCO-n nga paditë eventuale për dëmet që po bëhen nga ndërprerjet e energjisë elektrike.

Lexoni të plotë postimin e saj:

Të nderuar qytetarë, ju që po përballeni me reduktime,

Mbrëmë, pas mesnatës, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, LVV-ja votoi vendimin e Qeverisë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë – kjo është domethënia e masave emergjente në sektorin e energjisë.

Tash, për 60 ditë, energjia mund të ndërpritet kurdo dhe kudo, sepse këtë e lejon Kuvendi me vendim. Pra, ky vendim nuk e përmirëson furnizimin me energji, ky vendim e mbron KEDS/KESCO-n nga paditë eventuale për dëmet që po bëhen nga ndërprerjet e energjisë elektrike.

Po, vendimi e detyron edhe Ibër-Lepencin të prodhojë energji për Shërbimin Universal, por kapaciteti i instaluar i tij është vetëm rreth 30 MW. Tash mendojeni vetë sa mundet me u përmirësu gjendja me 30 MW.

Ky vendim mbi të gjitha vlen:

– Për t’i arsyetuar reduktimet,

– Për blerjen e energjisë elektrike, duke anashkaluar rregullat e prokurimit publik,

– Për kontraktimin e kompanive për investime e remonte në KEK, pa procedurat e zakonshme të prokurimit,

Mos të harrojmë, masat emergjente për furnizim me energji u shpallën për herë të parë më 21 dhjetor 2021. Gati pesë vjet më vonë, ende po qeverisin me masa emergjente.

Ndërkohë:

– Nuk ka kontrata afatgjata për blerje të energjisë.

– Remontet kanë dështuar dhe kontratat janë lidhur shumëfish më shtrenjtë.

– Strategjia e Energjisë nuk po zbatohet.

– Nuk janë ndërtuar kapacitete të reja gjeneruese.

Ka vetëm një zgjidhje: kapacitete të reja gjeneruse. Jemi vonë, por nëse nuk fillojmë, kriza vetëm do të thellohet, shumë shpejt do të vijmë në pikën ku as qytetarët e as buxheti i Kosovës s’ka me i përballu faturat e energjisë. /Telegrafi/

Lini një koment