E premte, 20 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›3 të arrestuar dhe 1 374 masa administrative në një javë nga Policia Rrugore e Shkodrës

3 të arrestuar dhe 1 374 masa administrative në një javë nga Policia Rrugore e Shkodrës

Tre shtetas janë arrestuar dhe një tjetër është proceduar në gjendje të lirë nga Policia Rrugore e Shkodrës gjatë monitorimeve të zhvilluara për një javë në të gjitha akset e qarkut, siç njofton Policia e Shtetit. Të katërt u ndëshkuan për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Sipas Policisë, monitorimi intensiv, edhe me pajisje inteligjente, ka në fokus parandalimin e aksidenteve rrugore dhe menaxhimin e trafikut, duke evidentuar dhe ndëshkuar drejtuesit që drejtojnë mjetin nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur, pa leje drejtimi, që kryejnë parakalime të gabuara, tejkalojnë normat e shpejtësisë, përdorin celularin gjatë drejtimit, nuk vendosin rripin e sigurimit ose kaskën mbrojtëse, si dhe shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.

Gjatë kësaj periudhe janë vendosur gjithsej 1 374 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Pjesa më e madhe, 628 masa, u vendos për parkim ose qëndrim të gabuar dhe 411 për tejkalim të normave të shpejtësisë; 41 masa u dhanë për parakalime të gabuara, 19 për drejtim të mjetit nën ndikimin e pijeve alkoolike, 34 për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 20 për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, 6 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, 16 për qarkullimin me xhama të errësuar dhe 199 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Policia Rrugore e Shkodrës bën me dije se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, evidentimin e shkeljeve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Policia u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Lini një koment