E premte, 20 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Fermerët japin alarmin, vaji i ullirit mbetet stok, industrialistët propozojnë masat urgjente

Fermerët japin alarmin, vaji i ullirit mbetet stok, industrialistët propozojnë masat urgjente

Vaji i ullirit po mbetet stok në shtëpitë e fermerëve, pasi rënia e çmimit në rreth 300 lekë për litër, nën koston e prodhimit ka bllokuar grumbullimin dhe po frenon vjeljen e ullirit në shumë zona të vendit.

Fermerët kërkojnë të paktën ta tregtojnë vajin me 500 lekë për litër për të mbuluar kostot e prodhimit, përfshirë pagesat e vjelësve që variojnë nga 3,500, 4,500 deri në 5 mijë lekë dita, ndërsa në disa zona deri tani është mbledhur vetëm 20% e prodhimit.

Përballë rrezikut të braktisjes së ullishtave, Albanian Food Industry (AFI) kërkon ndërhyrje urgjente të qeverisë dhe propozon 7 masa, mes tyre ngritjen e një fondi për certifikimin e vajit falas për fermerët dhe ndalimin e përkohshëm të importeve të vajit të ullirit.

Albanian Food Industry (AFI) ngre alarmin se rënia drastike e çmimit të vajit të ullirit, do të sjellë shumë shpejt braktisjen masive të ullishtave nga fermerët, deri në paralajmërimet për prerjen e druve të ullirit.

“Ditët e fundit fermerët shqiptarë prodhues të ullirit po ballafaqohen me vështirësi të jashtëzakonshme për sa i përket rënies drastike të çmimit të vajit të ullirit, çka i ka vënë në pozita që masivisht të deklarojnë se do ta braktisin kultivimin e mëtejshëm, madje ka prej atyre që deklarojnë se do të presin masivisht plantacionet ekzistuese”, thuhet në deklaratën e AFI-së.

AFI kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të ministrisë së Bujqësisë me marrjen e disa masave urgjente.

AFI propozon ngritjen e një grupi pune pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Financave për të analizuar situatën dhe për të përcaktuar masat e nevojshme të mbështetjes. Sipas shoqatës, ndërhyrja është urgjente edhe për shkak se dy muajt e ardhshëm janë periudha kur fermerët duhet të kryejnë shërbimet e nevojshme për ullishtat.

“Në rast se fermerët heqin dorë nga shërbimet gjatë këtyre dy muajve, rezultati do të jetë edhe më i keq vitin tjetër, si për fermerët, fabrikat, ekonominë në tërësi, ashtu edhe për konsumatorin, i cili më pas me siguri do të përballet me çmime monopolistike të importit”, argumenton AFI.

Ndër masat e propozuara është krijimi i një plani të shpejtë pune për analizimin e situatës dhe ngritja e një fondi për certifikimin e vajit të ullirit sipas standardeve ligjore dhe atyre organike, kur plotësohen kushtet. Certifikimi propozohet të ofrohet falas për fermerët, me kushtin që pagesa të bëhet ose të rimbursohet pas shitjes së produktit.

Një tjetër kërkesë është ndalimi i importit të vajit të ullirit deri në fund të janarit, si dhe zhvillimi i një fushate të përditshme promovuese në media për të nxitur konsumatorët të blejnë vaj ulliri shqiptar.

Deklaratë e AFI për mbështetjen e fermerëve të ullirit

Ditët e fundit fermerët shqiptar prodhues të ullirit po ballafaqohen me vështirësi të jashtëzakonshme për sa i përket rënies drastike të çmimit të vajit të ullirit, çka ka vënë ata në pozita që masivisht të deklarojnë se do e braktisin kultivimin e mëtejshëm të tyre edhe madje ka prej atyre që deklarojnë qe do presin masivisht plantacionet ekzistuese.

Duke pasur parasysh se ne 10 vitet e fundit në Shqipëri janë bërë investime shumë të rëndësishme si në kultivimin e pemëve të ullirit por edhe në ndërtimin e fabrikave të vajit të ullirit të cilat llogariten të jenë mbi 270 është e domosdoshme që të bëhet një analizë e thelluar e situatës nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave për të vlerësuar dimensionet e problemit, pasojat që mund të sjellë dhe aksionet që ndërmerren në të tilla raste në vendet e BE, kur tregu sillet në mënyrë të tillë që mund të shkaktojë shkatërrimin pa kthim të investimeve shumë të rëndësishme të kryera në dekada, të krijojë probleme sociale të vështirësive ekonomike apo edhe të largimit nga vendi për fermerët, të ndikojë në përdorimin e pasurisë më të rëndësishme që është toka dhe në cenimin e peizazhit dhe së fundmi në ndikimin e përgjithshëm ekonomik e financiar të vendit dhe të buxhetit te shtetit.

Në këtë kuadër pas konsultimeve të shpejta me fermerë dhe prodhues të vajit të ullirit e gjejmë të udhës te japim një set me rekomandime, të cilat natyrshëm i duhen nënshtruar vlerësimit dhe vendimmarrjes në kuadër të grupit të punës që besojmë se do të ngrihet pranë Ministrisë së Bujqësisë për këtë qëllim.

Emergjenca për veprim energjik imponohet edhe nga fakti se 2 muajt e ardhshëm janë muajt në të cilët fermerët kryejnë shërbime ndaj kulturës së ullirit. Heqja dorë nga shërbimet gjatë këtyre 2 muajve do të sjelle një rezultat edhe më të keq vitin tjetër si për fermerët, për fabrikat për ekonominë në tërësi dhe për konsumatorin I cili me siguri do të ballafaqohet pastaj me çmimet monopolistike të importit.

Masat e sugjeruara për ndërhyrje të menjëhershme:

1. Krijimi i një plan pune nga Ministria e Bujqësisë për analizimin e shpejtë të situatës së krijuar nga çmimet e ulëta të vajit të ullirit pasojat që mund të sjellë dhe masat mbështetëse për fermerët.

2. Vendosja e një fondi për certifikimin e menjëhershëm të sasive të vajit të ullirit në konformitet me standardet ligjore apo me standardet organike kur ato plotësohen. Ky certifikim të ofrohet falas për fermerët me kushtin e pagesës/ rimbursimit pas shitjes së produktit.

3. Marrja e masës së menjëhershme të ndalimit të importit të vajit të ullirit deri në fund të muajt Janar.

4. Promovim i përditshëm në të gjithë mediat vizive i kërkesës për mbështetje të fermerit shqiptar nga konsumatori vendas duke blerë vaji ulliri shqiptar

5. Nxjerrja e një Akti Administrativ që të gjithë subjektet që kanë marrë mbështetje nga fondet publike në 5 vitet e fundit nga AZHBR apo kanë marrë lehtësira fiskale si investitorë strategjikë etj kanë detyrimin që deri në muajin Qershor të blejnë vetëm vaj ulliri shqiptar të certifikuar sipas skemës të ndërtuar nga Ministria e Bujqësisë.

Në rast të mosrespketimit të këtij rregulli ndaj këtyre subjekteve do të merren 2 masa:

1. për çdo blerje të vajit me origjinë jo shqiptare nga ana e subjekteve të nixitura financiarisht apo fiskalisht ndaj tyre, do të aplikohet një tarifë e barabartë me vlerën e blerjes së vajit të ullirit me origjinë jo shqiptare;

2. subjektet që nuk respektojnë këtë masë emergjente për mbështetjen e fermerëve shqiptar do të përjashtohen për 5 vjet nga çdo aplikim për marrje fondesh nga AZHBR apo përfitime të lehtësirave të tjera fiskale në kuadër të legjislacionit nxitës turistik.

3. Importi i vajit të ullirit do të vlerësohet me çmim reference për efekt të pagesave fiskale mbi bazën e kostos së prodhimit të vajit të ullirit të fermerëve shqiptar. Kjo kosto të nxirret nga shoqatat e prodhuesve të vajit të ullirit, dhe QTTB Vlorë e cila është përgjegjëse për kulturën e ullirit.

4. Ministria e Bujqësisë të krijojë një task forcë e cilat ë ketë në përbërje të saj 70%, pjesëtare, fermerë apo përfaqësues të fabrikave të vajit të ullirit, e cila të verifikojë deri në fund të muajit Shkurt respektimin e këtij akti normativ

Drejtuar publikut shqiptar dhe ndjenjës së tij patriotike

Mbështesni fermerët shqiptarë dhe industrinë prodhuese të vajit të ullirit, duke blerë masivisht dhe pa hezitim vajin e ullirit pranë fermerëve apo fabrikave tuaja të besuara me koshiencën dhe ndërgjegjen e plotë qytetare se po jepni nje kontribut të jashtëzakonshëm për këta fermerë, për industrialistët dhe për gjithë ekonominë e vendit

Lini një koment