IZRAEL – Të rinjtë protestojnë kundër luftërave dhe militarizimit
TEL AVIV, 20 nëntor /ATSH-DPA/- Të rinj dhe studentë kanë organizuar një protestë në Tel Aviv kundër luftërave, militarizimit dhe rritjes së shpenzimeve ushtarake, në kuadër të një mobilizimi ndërkombëtar të lëvizjeve rinore.
Protesta në Tel Aviv ishte planifikuar të zhvillohej në orën 12:00, në kryqëzimin e rrugës “Herzl” me bulevardin “Rothschild”, me organizimin e grupimit “Radical Bloc”.
Nisma është pjesë e një thirrjeje më të gjerë ndërkombëtare, të mbështetur nga një koalicion me mbi 50 organizata rinore dhe studentore.
Sipas deklaratës së publikuar sot nga koalicioni, protestat po zhvillohen në më shumë se 25 vende dhe rreth 400 qytete, me pjesëmarrjen e qindra mijëra të rinjve dhe studentëve.
Mobilizimi synon të kundërshtojë përshkallëzimin e konflikteve, rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe militarizimin e shoqërisë, duke kërkuar që më shumë fonde publike të orientohen drejt arsimit, shëndetësisë, strehimit dhe shërbimeve sociale.
Organizatorët kanë paraqitur pesë kërkesa kryesore: ndalimin e militarizimit dhe riarmatosjes, heqjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, solidaritetin me popujt e shtypur, drejtësinë klimatike dhe sociale, si dhe mbrojtjen e lirive demokratike.
Nisma zhvillohet nën thirrjen për të luftuar për të ardhmen e të rinjve dhe jo për luftërat e qeverive, duke kërkuar një angazhim më të madh të institucioneve për paqen dhe mirëqenien sociale.
Organizatorët u kërkojnë qeverive të shkurtojnë fondet e destinuara për ushtrinë dhe armatimet dhe t’i përdorin këto burime për arsimin, shëndetësinë dhe shërbimet sociale. /