UKRAINË – Zelensky akuzon Moskën për sulme masive pas takimeve të Putinit në Kinë
– Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky kërkoi nga partnerët ndërkombëtarë, që deklaratat e mbështetjes për Ukrainën të shoqërohen me zbatimin konkret të marrëveshjeve për furnizimin me sisteme dhe raketa të mbrojtjes ajrore, pas një sulmi masiv rus dje gjatë natës, që shkaktoi të paktën tetë viktima, raportoi “Ukrainska Pravda”.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Zelensky deklaroi se mbështetja politike e aleatëve nuk është e mjaftueshme, në kushtet kur Rusia po vijon sulmet ndaj qyteteve dhe infrastrukturës ukrainase.
“Është e rëndësishme të mos ketë vetëm deklarata të partnerëve në mbështetje të Ukrainës dhe ukrainasve, por edhe respektim të marrëveshjeve konkrete për mbrojtjen ajrore”, theksoi ai.
Presidenti ukrainas e lidhi intensifikimin e sulmeve ruse me takimet e fundit të presidentit rus, Vladimir Putin, në Kinë, duke deklaruar se Moska po përpiqet të kompensojë atë që ai e cilësoi si dështim ushtarak dhe diplomatik përmes sulmeve ndaj Ukrainës.
“Putini ka ndërmarrë një sulm masiv, pas takimeve në Kinë dhe dështimit të përpjekjes së tij për të ‘rishpërndarë’ botën”, shkroi Zelensky.
Sipas tij, Rusia po përpiqet të kompensojë vështirësitë në fushën ushtarake dhe diplomatike, përmes sulmeve dhe terrorit ndaj popullsisë ukrainase.
Në të njëjtin reagim, Zelensky bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kishin njoftuar për furnizimin e Ukrainës me raketa PAC-2 dhe PAC-3, të cilat përdoren nga sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore “Patriot”.
Sistemet “Patriot” janë ndër mjetet kryesore të mbrojtjes ajrore, që Ukraina përdor për të mbrojtur qytetet, infrastrukturën energjetike dhe objektet strategjike nga sulmet ruse.
Deklarata e presidentit ukrainas vjen në një moment kur Kievi po kërkon nga aleatët perëndimorë, përshpejtimin e furnizimeve ushtarake, veçanërisht të sistemeve dhe municioneve të mbrojtjes ajrore, përballë intensifikimit të sulmeve ruse.
Zelensky theksoi se zbatimi i angazhimeve të marra nga partnerët, është thelbësor për të garantuar mbrojtjen e popullsisë dhe për të përballuar sulmet e vazhdueshme ndaj territorit ukrainas. /