E premte, 20 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Nga pasuritë e sekuestruara të krimit te mbështetja sociale, AAPSK financoi 20 projekte gjatë vitit 2026

Nga pasuritë e sekuestruara të krimit te mbështetja sociale, AAPSK financoi 20 projekte gjatë vitit 2026

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) ka mbështetur 20 projekte gjatë vitit 2026, duke orientuar financimet dhe ripërdorimin social të pasurive drejt parandalimit të kriminalitetit, rehabilitimit të viktimave, riintegrimit social dhe fuqizimit të grupeve vulnerabël.

Sipas të dhënave, evidentohen 1,035 përfitues dhe profesionistë të trajnuar, ndërsa edhe pasuri të paluajtshme janë përdorur për qëllime sociale.

Projektet janë realizuar përmes bashkëpunimit me organizata të shoqërisë civile, duke synuar që pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara nga veprimtaria kriminale të shndërrohen në instrumente konkrete në shërbim të komunitetit.

Mbështetja është përqendruar veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë, viktimat e trafikimit, personat në proces rehabilitimi, familjarët e punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë, si dhe kategoritë e tjera në nevojë.

Sipas raportimit të AAPSK-së, 728 fëmijë dhe të rinj janë përfshirë në programe edukimi, ndërgjegjësimi, zhvillimi dhe parandalimi të kriminalitetit.

Një tjetër kategori e rëndësishme janë personat në proces rehabilitimi dhe riintegrimi social. Në këtë grup raportohen 217 persona të mbështetur përmes programeve dhe shërbimeve të dedikuara.

Ndërkohë, 136 viktima të trafikimit janë përfshirë në programe mbështetëse, rehabilitimi dhe riintegrimi, ndërsa 82 viktima të krimit kanë përfituar nga shërbime dhe aktivitete të ndryshme.

Mbështetja ka përfshirë gjithashtu familjarë të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë, persona me aftësi të kufizuara dhe ndërhyrje sociale në komunitete vulnerabël.

Paralelisht, 75 profesionistë janë trajnuar për të përmirësuar kapacitetet në ofrimin e shërbimeve dhe mbështetjen e kategorive në nevojë.

Nga rehabilitimi te punësimi, rezultatet e projekteve

Përtej numrit të përfituesve, raportimi evidenton edhe rezultatet konkrete të programeve të mbështetura.

Në total, 325 persona kanë marrë shërbime të drejtpërdrejta, ndërsa 185 persona janë përfshirë në programe rehabilitimi dhe riintegrimi social.

Një tjetër tregues lidhet me aftësimin dhe përgatitjen për tregun e punës. Sipas të dhënave, 98 persona janë përfshirë në programe formimi profesional dhe arsimimi, ndërsa nëntë persona kanë marrë mbështetje drejt punësimit.

Lini një koment