KOMENT – Trump mbron marrëdhëniet “fantastike” me Xi dhe Putinin pas kritikave për samitin
UASHINGTON, 21 nëntor /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan Donald Trump vlerësoi takimin e tij “historik” me Xi Jinping dhe Vladimir Putin, ndërsa u kthye në vend pas vizitës në Kinë, ku e prisnin kritika të ashpra dhe një situatë e trazuar politike pas zgjedhjeve të mesmandatit.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, një ditë pas kthimit nga Kina, presidenti Trump deklaroi se marrëdhëniet e tij “fantastike” me liderët e Kinës dhe Rusisë ndihmojnë në garantimin e sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidenti Trump vlerësoi veçanërisht marrëdhëniet me presidentin Putin, pasi shkaktoi polemika duke e quajtur atë “miku im” gjatë takimit në Shenzhen.
Ai këmbënguli se udhëheqësi i Kremlinit dëshiron sinqerisht t’i japë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Kemi zhvilluar një nga samitet më të rëndësishme ndërkombëtare të shumë viteve të fundit”, u tha Trump gazetarëve, duke shtuar se mes liderëve të fuqive kryesore bërthamore të botës kishte pasur “një energji të jashtëzakonshme”.
“Kam marrëdhënie fantastike me Putinin. Kjo është diçka shumë e mirë. Kam marrëdhënie fantastike edhe me presidentin Xi. Edhe kjo është diçka e mirë dhe vendi ynë është i sigurt falë këtyre marrëdhënieve”, deklaroi ai.
Megjithatë, presidenti Trump shtoi se nuk ishte i sigurt nëse çarmatimi bërthamor, të cilin presidenti amerikan e cilësoi si një nga temat kryesore të samitit në Kinë, “mund të realizohet ndonjëherë”.
Presidenti amerikan u shfaq në foltoren e Shtëpisë së Bardhë i shoqëruar nga zëvendëspresidenti JD Vance dhe sekretari i Shtetit Marco Rubio.
Pranë tyre ishin gjithashtu shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, dhe sekretari i Thesarit, Scott Bessent.
Përpjekjet e presidentit Trump për të paraqitur arritjet e samitit erdhën pasi mediet amerikane dhe kundërshtarët e tij demokratë e ironizuan takimin, duke e cilësuar si pak më shumë se një mundësi për fotografi për një president në fund të mandatit politik.
Ai udhëtoi drejt Azisë duke kërkuar një sukses diplomatik, pas humbjes së rëndë në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA në fillim të këtij muaji.
Ndërkohë, lufta në Iran vazhdonte dhe Shtëpia e Bardhë përballej me disa hetime nga Kongresi i ri, ku demokratët do të kenë shumicën.
Megjithatë, takimi trepalësh Trump-Xi-Putin prodhoi pak rezultate konkrete, përveç një deklarate të shkurtër të titulluar “Deklarata drejt Paqes”, të cilën presidenti Trump e paraqiti mbi një stendë mbajtëse gjatë konferencës për shtyp.
Dokumenti nuk përmendte as Iranin dhe as Ukrainën.
Televizioni CNN e cilësoi takimin si pak më shumë se “një mundësi fotografimi e organizuar në momentin e duhur” për Trumpin. Ndërsa për Xi dhe Putinin, ai përfaqësonte “vërtetimin e bindjes së tyre se bota po përjeton një riekuilibrim thelbësor të fuqisë”.
Nuk ishte çudi, pra, që presidenti Trump kaloi pjesën më të madhe të konferencës për shtyp, e cila zgjati një orë e 28 minuta, duke iu kundërpërgjigjur kritikave për takimin me liderët autoritarë të dy kundërshtarëve kryesorë të Uashingtonit.
Ai tha se gjatë një takimi dypalësh me Putinin, presidenti rus “shprehu qartë dëshirën e tij që lufta në Ukrainë të përfundojë përmes mjeteve diplomatike”.
I pyetur nëse besonte se Putini ishte mik i Amerikës, Trump u përgjigj se “nuk mund të flas në emër të Amerikës”, por shtoi se marrëdhënia e tyre “shumë e mirë… na jep një forcë të konsiderueshme shtesë”.
Presidenti Trump sulmoi gjithashtu Gjykatën Penale Ndërkombëtare, duke e cilësuar atë “jashtë kontrollit”.
Ai tha se presidenti Putin nuk ishte “i kënaqur” me këtë gjykatë, e cila ka lëshuar një urdhërarresti ndaj presidentit rus për shkak të luftës në Ukrainë.
Sa i përket Iranit, Trump e akuzoi Teheranin se “gënjen prej 51 vitesh” dhe deklaroi se udhëheqësit iranianë “duan të arrijnë një marrëveshje, por nuk duan një marrëveshje që të jetë e pranueshme për mua”.
Presidenti Trump shprehu gjithashtu vlerësime të shumta për liderin e Partisë Komuniste Kineze, Xi Jinping, duke lavdëruar pastërtinë dhe pamjen moderne të rrugëve të Shenzhenit.
Ai i krahasoi ato në mënyrë të favorshme me qytetet amerikane të lëna pas dore, të cilat, sipas tij, drejtohen nga demokratët.
Megjithatë, presidenti republikan mbajti një qëndrim jashtëzakonisht pajtues ndaj demokratëve, pavarësisht se këta të fundit kanë kërcënuar me disa hetime ndaj tij pasi të marrin kontrollin e Kongresit vitin e ardhshëm.
Trump la të kuptohej se ishte i gatshëm të bashkëpunonte me Kongresin për çështjet e kujdesit shëndetësor, industrinë e argëtimit dhe ndoshta edhe emigracionin, megjithëse theksoi se ishte gjithashtu i gatshëm të vendoste veton ndaj legjislacionit, nëse do të ishte e nevojshme. /Ad.Ab./ a.jor.