Pasaporta false, kokainë dhe mijëra paund, si u zbulua grupi i 3 shqiptarëve në Britani!
Tre shtetas shqiptarë janë dënuar me burg në Britaninë e Madhe, pas një hetimi të gjatë policor që zbuloi përfshirjen e tyre në trafikun e kokainës dhe përdorimin e dokumenteve të falsifikuara.
Të dënuarit janë Daniela Sopiku, 26 vjeçe, Hysen Sopiku, 21 vjeç, dhe Alvaro Vrapi, 18 vjeç, të cilët dyshohet se ishin pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që shpërndante kokainë në disa qytete të qarkut Ëiltshire gjatë viteve 2025 dhe 2026.
Daniela Sopiku, e cila më parë kishte pranuar fajësinë për posedimin e dokumenteve të falsifikuara të identifikimit me qëllim përdorimin e paligjshëm të tyre, pranoi gjithashtu gjatë procesit gjyqësor akuzën për përfitimin dhe përdorimin e pasurive që rridhnin nga aktiviteti kriminal. Ajo u dënua me 9 muaj burg.
Hysen Sopiku pranoi të gjitha akuzat, mes të cilave përfshirjen në shpërndarjen e lëndëve narkotike të klasit A, posedimin e pasurive kriminale, si dhe posedimin e kokainës me qëllim shitjen. Ai u dënua me 3 vite burg.
Ndërsa Alvaro Vrapi u shpall fajtor pas pranimit të akuzave për posedimin e dokumenteve të falsifikuara dhe përfshirjen në shpërndarjen e lëndëve narkotike. Gjykata e dënoi me 28 muaj burg.
Operacioni zbuloi aktivitetin e grupit
Sipas policisë britanike, hetimet ndaj tre personave kishin nisur prej një periudhe të gjatë dhe përfshinin edhe përdorimin e metodave të fshehta hetimore. Përmes tyre u dokumentua aktiviteti i grupit në shpërndarjen e kokainës në disa zona të Ëiltshire.
Në muajin qershor, Hysen Sopiku dhe Alvaro Vrapi u arrestuan pasi u kapën brenda një automjeti tip “Nissan Qashqai”, teksa kryenin transaksione droge.
Gjatë kontrolleve, policia zbuloi gjithashtu sasi droge me vlerë totale mbi 11 mijë paund, në disa vende që dy të rinjtë kishin vizituar gjatë asaj dite, konkretisht në Biddestone dhe Giddeahall, pranë qytetit Chippenham.
Po atë ditë, Daniela Sopiku u arrestua në zonën Old Toën. Gjatë kontrolleve në ambientet e lidhura me të, oficerët gjetën pajisje që përdoreshin për aktivitetin e drogës, shuma të konsiderueshme parash, sende luksoze të markave të njohura, si dhe dokumente identifikimi të falsifikuara.
Mes tyre ishte edhe një pasaportë italiane në emër të saj, e cila u konfirmua si e falsifikuar nga autoritetet e emigracionit.
Edhe Vrapi rezultoi se kishte përdorur dokumente të falsifikuara për të hapur llogari bankare, të cilat shërbenin për aktivitetin kriminal.
Mbi 53 mijë paund të ardhura të pajustifikuara
Hetimet financiare zbuluan se tre personat kishin përfituar të ardhura të pajustifikuara që kapnin vlerën e mbi 53 mijë paundëve.
Sipas policisë, asnjëri prej tyre nuk kishte një burim të ligjshëm të ardhurash dhe të tre ndodheshin në Britani pa status të rregullt qëndrimi.
Detektivi Jordan Gratton, i cili drejtoi hetimin, deklaroi se dënimet përbëjnë një rezultat të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.
Ai theksoi se hetimi i gjatë dhe përdorimi i teknikave të ndryshme policore mundësuan mbledhjen e provave të forta për aktivitetin kriminal të grupit, duke bërë të mundur ndërprerjen e veprimtarisë së tij.
Sipas autoriteteve britanike, dënimet me burg pasqyrojnë seriozitetin e veprave penale dhe rrezikun që aktiviteti i grupit përbënte për komunitetet lokale.