E shtunë, 21 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›ITALI – Protesta studentore në Torino kundër shpenzimeve ushtarake dhe militarizimit të universiteteve

ITALI – Protesta studentore në Torino kundër shpenzimeve ushtarake dhe militarizimit të universiteteve

TORINO, 21 nëntor /ATSH-ANSA/ – Mijëra studentë, punonjës dhe aktivistë morën pjesë dje në një ditë protestash në Torino të Italisë, në kuadër të grevës së përgjithshme të shpallur nga Konfederata e Përgjithshme Italiane e Punës (CGIL) dhe grevës ndërkombëtare studentore, me rastin e Ditës së Studentit.

Protestat u përqendruan te rritja e kostos së jetesës, pagat, kushtet e pasigurta të punës, financimi i arsimit dhe shëndetësisë, si dhe kundërshtimi i shpenzimeve për armatimet dhe politikat e qeverisë së kryeministres, Giorgia Meloni.

Gjatë paradites u zhvilluan dy marshime të ndara. I pari u organizua nga punonjësit dhe sindikatat, me nisje nga sheshi “XVIII Dicembre”, ku iu bashkuan edhe grupe studentësh, lëvizje shoqërore dhe organizata universitare.

Një marshim tjetër, i organizuar në mënyrë të pavarur nga kolektivat studentore “Cambiare Rotta” dhe OSA, nisi nga sheshi “Arbarello”.

Sipas raportimeve të ANSA-s, në pjesën e marshimit ku u bashkuan lëvizjet shoqërore dhe studentët universitarë morën pjesë disa mijëra persona.

Në protestë u panë flamuj sindikalë, palestinezë dhe të lëvizjes kundër projektit të trenit të shpejtësisë së lartë Torino-Lyon (No TAV).

Më vonë, një pjesë e marshimit studentor dhe shoqëror u shkëput nga itinerari kryesor dhe u drejtua drejt hyrjes së autostradës “A6 Torino-Savona”, me synimin për të bllokuar qarkullimin.

Në këtë zonë u mblodhën rreth 3 000 demonstrues, sipas raportimeve të mediave italiane. Policia dhe karabinierët, të pajisur me uniforma kundër trazirave, bllokuan avancimin e tyre dhe nuk lejuan hyrjen në autostradë.

Gjatë përplasjes me forcat e rendit, protestuesit dogjën një pankartë gjigante me imazhet e ministres së Universitetit dhe Kërkimit Shkencor, Anna Maria Bernini, dhe ministrit të Mbrojtjes, Guido Crosetto, të paraqitur me uniforma ushtarake.

Në pankartë ishte shkruar slogani “Universiteti i Luftës”, përmes të cilit studentët kundërshtonin militarizimin e arsimit dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake.

Protestuesit kundërshtuan gjithashtu politikat e qeverisë së Meloni, duke argumentuar se fondet publike duhet të orientohen më shumë drejt arsimit, shëndetësisë dhe shërbimeve sociale, në vend të investimeve për armatime. Në pankartat e tyre shfaqeshin mesazhe kundër luftës, rritjes së çmimeve dhe pasigurisë ekonomike.

Mobilizimi vijoi edhe në mbrëmje, kur rreth 1 000 studentë dhe aktivistë u mblodhën në sheshin “Castello” për një tjetër marshim kundër luftës dhe rritjes së kostos së jetesës.

Gjatë lëvizjes drejt sheshit “Vittorio Veneto”, demonstruesit tentuan të kalonin kordonët e policisë në rrugën “Accademia Albertina” dhe në zonën e sheshit “Vittorio”.

Policia ndërhyri për t’i zmbrapsur protestuesit, duke përdorur edhe ndërhyrje fizike për shpërndarjen e turmës. Gjatë tensioneve u hodhën disa sende në drejtim të automjeteve të policisë. Një ekip televiziv u shty nga disa demonstrues, të cilët tentuan t’i merrnin kamerën. Pas incidenteve, marshimi vijoi në rrugët e tjera të qytetit.

Organizatorët deklaruan se do të vazhdojnë protestat edhe në javët e ardhshme, duke kërkuar ndryshime në politikat ekonomike dhe sociale të qeverisë italiane.

Greva dhe demonstratat në Torino ishin pjesë e një dite më të gjerë mobilizimi në qytete të ndryshme të Italisë, ku punonjësit dhe studentët kërkuan paga më të mira, mbrojtje të vendeve të punës, më shumë financim për shërbimet publike dhe kundërshtuan rritjen e shpenzimeve ushtarake./

Lini një koment