FSHF hap aplikimet për kursin UEFA A, trajnerët e interesuar mund të aplikojnë deri më 18 dhjetor
Federata e Futbollit njofton hapjen e aplikimeve për Kursin UEFA A, një program formimi për trajnerët që synojnë të avancojnë më tej kualifikimin dhe përgatitjen e tyre profesionale në fushën e futbollit.
Kursi do të zhvillohet në shtatë sesione, sipas kalendarit të përcaktuar nga FSHF, duke nisur më 18 janar 2027 dhe duke përfunduar më 18 qershor 2027.
Për t’u pranuar në këtë kurs, kandidatët duhet të kenë ushtruar në mënyrë aktive licencën UEFA B për të paktën një vit, në pozicionin e zëvendëstrajnerit të skuadrave të Kategorisë Superiore, trajnerit të parë të skuadrave të Kategorisë së Parë ose trajnerit të parë të ekipeve të moshave U-19, U-17 dhe U-15. Përvoja duhet të jetë e verifikueshme nëpërmjet sistemit COMET.
Kandidatët duhet të plotësojnë gjithashtu kriteret e tjera të pranimit dhe të dorëzojnë dokumentacionin përkatës, që përfshin diplomën e shkollës së mesme ose universitare, certifikatën e aftësisë shëndetësore të lëshuar brenda tre muajve të fundit, dëshminë e penalitetit, dokumentin e identifikimit dhe një fotografi digjitale.
Për shtetasit e huaj kërkohet njohja e gjuhës shqipe në nivelin B1, e vërtetuar me certifikatë nga një institucion i akredituar. Ndërsa kandidatët që zotërojnë diplomë ose licencë të lëshuar nga një federatë tjetër duhet të paraqesin dokumentacionin përkatës sipas procedurave të UEFA-s, përfshirë formularin UEFA Cross-Border Education dhe konfirmimin e federatës lëshuese.
Kursi UEFA A do të zhvillohet në datat e mëposhtme:
* 18–22 janar 2027
* 15–19 shkurt 2027
* 15–19 mars 2027
* 5–9 prill 2027
* 3–7 maj 2027
* 24–28 maj 2027
* 14–18 qershor 2027
Afati i aplikimit është deri më 18 dhjetor 2026.
Të gjithë kandidatët e interesuar që plotësojnë kriteret e përcaktuara mund të aplikojnë brenda këtij afati, duke dorëzuar dokumentacionin e kërkuar për t’u bërë pjesë e Kursit UEFA A. Të interesuarit mund t’i dërgojnë dokumentet në adresën e e-mailit [email protected] .
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.