E shtunë, 21 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Abissnet Superiore›Teuta do shpëtim pas humbjes së Egnatias, Laçi si anti-kriza për ekipin e Tetovës

Teuta do shpëtim pas humbjes së Egnatias, Laçi si anti-kriza për ekipin e Tetovës

Nga Panorama Sport

Durrsakët duhet t’i japin fund krizës dhe Laçi mund të jetë viktima perfekte që të “dalin nga kllapia”. Teuta po kalon një moment shumë të vështirë në kampionat, teksa durrsakët kanë humbur ritmin që i kishte shoqëruar gjatë fazës së parë dhe tashmë kanë humbur edhe kreun e renditjes, të cilin e kishin ndërtuar me shumë mund.

Aktualisht, bregdetarët mbajnë vendin e dytë në Superiore me 20 pikë pas 11 javësh, me një bilanc prej 6 fitoresh, 2 barazimesh dhe 3 humbjesh, si dhe golavarazh 14-5. Një rënie e ndjeshme për një skuadër që në pjesën më të madhe të fazës së parë kishte treguar vazhdimësi dhe ishte shfaqur si një nga pretendentet kryesore për kreun e kampionatit.

SHIFRAT – Rënia e Teutës është e dukshme në rezultatet e fundit. Në katër ndeshjet e fundit, skuadra ka arritur të marrë vetëm një pikë, duke regjistruar tre humbje dhe një barazim. Durrsakët janë mposhtur minimalisht 1-0 nga Egnatia, Partizani dhe Tirana, ndërsa kanë barazuar pa gola ndaj Elbasanit. Një seri në të cilën nuk kanë arritur të gjejnë asnjëherë rrugën e rrjetës, ndërsa kanë pësuar tre gola. Pra, bëhet fjalë për një skuadër që jo vetëm po has vështirësi për të marrë pikë, por që ka humbur edhe aftësinë për të reaguar në momentet kur ndeshjet janë të vështira.

SULMI NË KRIZË – Problemi kryesor mbetet reparti ofensiv, pasi rrjeta kundërshtare është bërë një objektiv i vështirë për bregdetarët, të cilët po i gjejnë golat me pikatore. Teuta nuk ka shënuar asnjë gol në katër sfidat e fundit, ndërsa tetë ndeshjet e fundit në Superiore kanë përfunduar me më pak se 2.5 gola. Këto shifra tregojnë qartë vështirësitë që po kalon skuadra në fazën sulmuese dhe mungesën e konkretizimit të rasteve. Edhe pse në shumë prej këtyre përballjeve diferenca në rezultat ka qenë minimale, mungesa e golave e ka bërë të pamundur marrjen e pikëve. Si Umejiego dhe Pedro janë në ngërç, ndërsa Mala, Kallaku, Boçi apo Arifi nuk i kanë ndihmuar.

PRAPAVIJA – Në aspektin mbrojtës, Teuta ka treguar më shumë qëndrueshmëri, veçanërisht në ndeshjet e zhvilluara në shtëpi, ku pëson mesatarisht vetëm 0.40 gola për takim. Gjithashtu, në gjashtë takimet e fundit në fushën e saj, durrsakët kanë mbetur të pamposhtur në pesë prej tyre. Megjithatë, tri humbjet radhazi në kampionat janë një sinjal që skuadra duhet të reagojë sa më shpejt.

Tashmë, për Teutën është e rëndësishme të ndërpresë këtë ecuri negative dhe të rikthejë besimin, duke nisur pikërisht nga gjetja e golit. Durrsakët kanë ende një pozicion të mirë në renditje, por vazhdimi i kësaj serie mund t’u kushtojë edhe më shumë në garën për kreun. Pas një faze të parë ku arritën të krijonin një diferencë dhe të merrnin kryesimin me meritë, sfida e radhës është të tregojnë se mund të dalin nga ky moment i vështirë dhe të rikthehen te rezultatet që i shoqëruan në fillim të sezonit.

Lini një koment