Manastirliu prezanton organizimin e ri të PS, Tiranë: 19 deputetë dhe ministra ndahen në 27 njësitë zgjedhore të kryeqytetit
Ogerta Manastirliu, e cila drejton organizimin politik dhe përgatitjet elektorale të PS-së në Tiranë për zgjedhjet vendore të 9 majit të vitit të ardhshëm, deklaroi në Asamblenë e PS, Tiranë se struktura e re politike dhe elektorale në kryeqytet synon të shtojë praninë në territor dhe t’u përgjigjet ndryshimeve demografike, duke u mbështetur në pesë nivele përgjegjësie dhe tre faza kryesore pune deri në ditën e zgjedhjeve.
Ajo theksoi se organizimi i ri politik dhe elektoral buron nga nevoja për t’u përshtatur me realitetin e një Tirane me mbi 1 milion banorë dhe 1 milion turistë në muaj, çka kërkon 10 herë më shumë punë për të takuar të 700 mijë zgjedhësit.
“Ndaj për ne organizimi i ri politik dhe elektoral i Partisë Socialiste të Tiranës merr një tjetër kuptim sot. Jo se nuk kemi qenë të organizuar, jo se nuk kemi patur boll sfida, jo se nuk kemi kaluar dhe jo se nuk kemi parë shumë. Të gjitha këto na kanë mësuar patjetër, kemi nxjerrë mësimet tona. Duhet, e tha kryetari i partisë, kryeministri Rama, të dëgjojmë më shumë, të korrigjohemi edhe më shpejt, të mundemi që t’i përgjigjemi nevojave të kohës, mbi të gjitha nevojave të njerëzve, dhe të jemi proaktivë.
Ndaj organizimi i ri për Tiranën, edhe ai politik dhe ai elektoral, dhe i përmend të dyja sepse kanë rëndësinë e tyre të veçantë, bëhet pikërisht për të shtuar prezencën dhe për të qenë sa më shumë të pranishëm në territor. Ne e bëmë organizimin e territorit në raport me atë çfarë Tirana sot të imponon. Tirana sot është qyteti i 1 milion banorëve plus dhe 1 milion turistëve në muaj dhe sigurisht që kërkon që nga pikëpamja e organizimit, modelit të qeverisjes, patjetër që të ridimensionojë veten edhe në kuadër të organizimit politik dhe ne në kuptim të territorit, të ndryshimeve demografike, na duhet që t’i përgjigjemi kësaj sfide. Sot ne nisim këtë betejë dhe ta themi hapur që na duhet 10 herë më shumë punë se ç’kemi bërë në zgjedhjet e fundit për t’i fituar, sepse na duhet 10 herë më shumë punë për t’i takuar të 700.000 zgjedhësit, të jemi pranë tyre, t’i dëgjojmë dhe t’i kthejmë përgjigje dhe sigurisht edhe zgjidhjet që ata duhet të marrin dhe që ndoshta kemi qenë dhe të vonuar, por këtu është qeveria, patjetër edhe bashkia me të gjithë përpjekjet e saj duhet të bëjë detyrën e vet”, deklaroi ajo.
Në vijim, Manastirliu vuri në dukje rëndësinë e lidhjes me komunitetet e ardhura në kryeqytet, ku do të angazhohen drejtuesit politikë dhe deputetët e qarqeve të tjera, ndërsa pranoi hapur se ekziston një krizë në drejtimin e punëve të Bashkisë së Tiranës, të cilën PS synon ta kthejë në mundësi përmes punës dhe fokusit te “Tirana 2030”.
“Mos harrojmë një gjë. Tirana është baza e fortë e qëndrueshme e Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe me sfidat e saj, edhe me të gjithë ngjarjet e këtij viti, aty ku sfida është më e madhe aty janë dhe mundësitë më të mëdha dhe aty duhet edhe më shumë punë. Ndaj na duhet më shumë mobilizim, më shumë energji dhe më shumë disiplinë. Peshën demografike të Tiranës në fakt ne e shohim të gjithë bashkë që ka ndryshuar.
Ka ndryshuar sepse janë zhvendosur me dhjetëra mijëra bashkëqytetarë që Tiranën sot e kanë shtëpinë e tyre të përbashkët dhe për këtë arsye ne duhet ta forcojmë marrëdhënien tonë me komunitetet e ardhura në Tiranë, dhe ndaj edhe ky aspekt i organizimit, dhe dua që të falënderoj edhe për prezencën sot, por mbi të gjitha për kontributin, për mbështetjen dhe për rolin që do të kenë të gjithë drejtuesit politikë të qarqeve, deputetët e qarqeve që do të kenë dhe ata një angazhim të posaçëm në organizimin e ri të Tiranës.
Tirana është një skuadër që ka të gjithë brenda saj. Ndaj është shumë e rëndësishme që ne ta fillojmë menjëherë këtë organizim të ri duke vendosur kontakte të drejtpërdrejta me të gjithë banorët e Tiranës, me ata autoktonët dhe me ata më të rinjtë. Nga ana tjetër, nuk fshihemi pas gishtit. Ka një krizë patjetër në drejtim të punëve të Bashkisë së Tiranës. Qytetarët atë e ndiejnë çdo ditë, por nëse ka një forcë politike që di ta kthejë krizën në mundësi, kjo është Partia Socialiste e Shqipërisë. Ndaj ka vetëm vend për punë. Nuk ka vend as për demotivim dhe as për çorientim. Ne në krizat që kemi patur kemi thënë një fjalë që besoj që të gjithë e dimë, e kujtojmë dhe nuk e harrojmë asnjëherë: fokus. Të jemi të fokusuar te objektivi i madh, të jemi të fokusuar sikurse tha kryeministri Rama tek Tirana 2030, tek Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian. Ky është misioni ynë i përbashkët”, tha Manastirliu.
Duke zbërthyer arkitekturën e re organizative në këto 170 ditë drejt 9 majit, ajo bëri me dije se 19 deputetë dhe ministra do të ndahen në 27 njësitë zgjedhore të Tiranës, përfshirë edhe tre grup-fshatrat, të mbështetur nga 34 blloqe, mbi 30 koordinatorë zonalë dhe 420 të deleguar.
“Ndaj zgjedhjet vendore patjetër kërkojnë mobilizim, po kërkojnë që ne ta mbrojmë votën tonë socialiste duke ia kërkuar besimin jo vetëm 166.000 mbështetësve tanë në zgjedhjet e 11 majit 2025, por përtej tyre, nëpërmjet takimeve ballë për ballë, por edhe kanaleve të komunikimit të rrjeteve sociale, të 700.000 zgjedhësve të tjerë, sepse është e rëndësishme që ne në këto 170 ditë të mbetura drejt 9 majit të jemi sa më shumë prezentë në territor, bashkë me bashkëkryetarët tanë, me Albanën dhe Ervinin, dhe me deputetët e Tiranës.
Ne këtë javë kemi patur takime intensive edhe bashkë me bashkëkryetarët e njësive të Partisë Socialiste. Kemi diskutuar se si është më e mira për Tiranën në këtë realitet të ri, ose më saktë normalitet të ri, dhe kemi bashkëvendosur që edhe organizimi i ri i Tiranës t’i përshtatet jo vetëm dinamikave territoriale, por edhe pulsit social që duhet që Tirana të mbajë në raport edhe me organizimin politik dhe territorial.
Ndaj organizimi i ri politik do të ketë pesë nivele përgjegjësie me 19 deputetë, ministra të ndarë në 27 njësitë zgjedhore të Tiranës. Këtu kemi dhe tre grup fshatrash që gjithashtu pra janë njësi administrative që do drejtohen nga 19 deputetë ministra në Tiranë. 34 blloqe do të vijojnë të mbeten si formë organizimi për të siguruar prezencën, praninë besnike në territor me më shumë se 30 koordinatorë zonalë, 420 të deleguar dhe të gjithë skuadrën tonë socialiste të Tiranës. Kjo është skuadra jonë dhe është gati të nisë rrugëtimin drejt fitores së radhës për Bashkinë e Tiranës”, nënvizoi ajo.
Manastirliu përcaktoi tre etapat kohore të fushatës deri në zgjedhjet e 9 majit, duke nisur me konsolidimin e strukturave deri në dhjetor dhe vijuar me punën intensive në terren deri në mars.
“Ndaj roli i secilit prej jush është shumë i rëndësishëm. Secili prej jush ka përgjegjësinë, dhe përtej kësaj salle secili prej socialistëve dhe mbështetësve tanë. Secili prej jush ka rol vendimtar në punën që bën, në shërbimin që jep dhe në detyrën që kryen për njerëzit në territor. Ndaj betejën e Tiranës ne duhet ta kuptojmë qartë. Ajo është beteja për Tiranën europiane, beteja për Shqipërinë europiane. Ndaj të gjithë së bashku, me fuqinë transformuese që vetëm Partia Socialiste ka, me lidershipin e kryeministrit, kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, dhe me çdo socialist, mbështetës dhe qytetar që e di që rruga e vetme drejt Bashkimit Europian kalon përmes qeverisjes, Partisë Socialiste dhe padyshim besimit që duhet ta meritojmë çdo ditë tek njerëzit, ne nga sot nisim pikërisht këtë fushatë e cila në tre drejtime kryesore: deri në dhjetor konsolidojmë strukturat, deri në mars përqendrohemi te puna në terren dhe më pas fushata zgjedhore dhe 9 maji i fitores historike në vazhdim”, përfundoi Manastirliu.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.