Themeluesja e Wildberries, Tatyana Kim, jep dorëheqjen si drejtoreshë ekzekutive pak ditë pas sanksioneve të BE-së
Tatyana Kim, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e Wildberries, shitësit më të madh online në Rusi, ka dhënë dorëheqjen nga posti, njoftuan të shtunën mediat ruse, pak ditë pasi Bashkimi Evropian e shtoi atë në listën e sanksioneve kundër Rusisë, siç njofton Reuters.
Sipas agjencive TASS dhe RIA, që i referohen regjistrit shtetëror të personave juridikë, kompania ka emëruar Alexei Kulikov si drejtorin e ri ekzekutiv. Wildberries nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Kim përballet me ngrirje të aseteve në Bashkimin Evropian, si dhe me ndalime udhëtimi dhe transaksionesh, pasi Brukseli e futi në listën e sanksioneve më 16 nëntor. BE-ja tha se e kishte shënjestruar atë sepse Wildberries është “një nga tatimpaguesit më të mëdhenj” në Rusi dhe “funksionon si një rrjet furnizimi për ushtrinë ruse, duke lehtësuar shitjen e mallrave ushtarake dhe me përdorim të dyfishtë”.
Kompania dhe Kremlini thonë se Wildberries nuk e furnizon ushtrinë ruse. Wildberries deklaroi se sanksionet e BE-së ndaj Kim nuk do të ndikojnë në veprimtarinë e saj, pasi ajo nuk ka asete në Bashkimin Evropian dhe nuk zhvillon biznes atje, duke shtuar se Wildberries dhe kompanitë e tjera të grupit do të vazhdojnë të funksionojnë si zakonisht.