Ngarkesa me 27 tonë mish derri nga Brazili, shkarkohen 4 inspektorë të AKU-së
Inspektorati i Përgjithshëm njofton se ka shkarkuar nga detyra 4 inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit pas shkeljeve të konstatuara në procedurën e inspektimit të një ngarkese prej 27 tonësh me mish derri me origjinë nga Brazili, të importuar nga subjekti “KING-MIT”.
Vendimi është marrë nga Komisioni Disiplinor i Inspektoratit të Përgjithshëm, pas shqyrtimit të dokumentacionit, zhvillimit të seancave dëgjimore dhe vlerësimit të përgjegjësive individuale të punonjësve të përfshirë.
Sipas njoftimit zyrtar, masa disiplinore “Largim nga detyra” është dhënë për L.B., inspektor kontrolli në Pikën e Kalimit Kufitar pranë AKU-së në Durrës, për mosverifikimin e plotë të dokumentacionit të ngarkesës, të stabilimentit të autorizuar për eksport dhe të vërtetësisë së certifikatës. Këto mangësi kanë lejuar kalimin e ngarkesës në kundërshtim me kërkesat ligjore.
Të njëjtën masë disiplinore kanë marrë edhe tre inspektorë të Drejtorisë Rajonale të AKU-së në Fier, E.T., K.K. dhe M.G. Ata janë penalizuar për mosverifikimin e plotë të dokumentacionit, mosidentifikimin e të gjitha shkeljeve të konstatuara dhe vendosjen e një mase administrative jo proporcionale me natyrën dhe rëndësinë e tyre.
Inspektorati i Përgjithshëm bën me dije se ka administruar dokumentacionin e përcjellë nga AKU-ja, ka ngritur Komisionin Disiplinor dhe ka zhvilluar dy seanca dëgjimore përpara marrjes së vendimeve.
Ndërkohë, për shkak të kompleksitetit të rastit dhe problematikave të konstatuara, Inspektori i Përgjithshëm ka urdhëruar edhe verifikimin e ligjshmërisë së procedurave administrative të ndjekura nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së për importimin dhe inspektimin e ngarkesës. Verifikimi synon shqyrtimin e plotë të dokumentacionit, veprimeve të kryera dhe përgjegjësive të strukturave të përfshira.
Në njoftimin e tij, Inspektorati i Përgjithshëm paralajmëron se nuk do të tolerojë pakujdesi, neglizhencë apo shkelje të procedurave dhe ligjit nga inspektorët e AKU-së në pikat e kalimit kufitar, duke theksuar se siguria ushqimore mbetet një nga prioritetet kryesore të institucionit.