“Dialog konstruktiv”- Hoxha takon homologun grek: Partneritet strategjik dhe angazhim i përbashkët për të ardhmen europi
Në kuadër të takimit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, që po zhvillohet në Athinë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim dypalësh me Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, George Gerapetritis.
Takimi rikonfirmoi rëndësinë e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Greqisë, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe vullnetin e përbashkët për të vijuar dialogun e hapur dhe konstruktiv, në funksion të forcimit të bashkëpunimit dypalësh dhe perspektivës së përbashkët europiane.
“Partneriteti strategjik, miqësia, dialogu i hapur dhe konstruktiv, si dhe e ardhmja e përbashkët europiane janë shtyllat e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Si vende fqinje dhe aleate në NATO, ne ndajmë përgjegjësinë për të kontribuar në një rajon më të sigurt, më të ndërlidhur dhe më të begatë”, u shpreh Ministri Hoxha.
Dy ministrat diskutuan mbi ecurinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke, procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si dhe zhvillimet rajonale dhe sfidat me të cilat përballet Ballkani Perëndimor. Ata rikonfirmuan rëndësinë e ruajtjes së një dialogu të ngushtë dhe konstruktiv, të mbështetur në respektin e ndërsjellë dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Në fokus të bisedimeve ishte edhe rëndësia strategjike e zgjerimit të Bashkimit Europian, veçanërisht në kontekstin e diskutimeve të ripërtërira mbi të ardhmen e Europës dhe nevojën për të ruajtur ritmin dhe besueshmërinë e procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Një proces zgjerimi i besueshëm, i bazuar në meritë dhe me vizion për të ardhmen, është thelbësor jo vetëm për transformimin e Ballkanit Perëndimor, por edhe për sigurinë, stabilitetin dhe konkurrueshmërinë afatgjatë të Europës”, theksoi Ministri Hoxha.
Ministri shprehu gjithashtu mirënjohjen e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë në procesin e anëtarësimit në BE, duke nënvizuar angazhimin e vendit për të avancuar negociatat përmes zbatimit të reformave dhe përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga ky proces.
Gjatë takimit u theksua se Shqipëria dhe Greqia, si vende fqinje, aleate në NATO dhe partnere të lidhura nga marrëdhënie të forta historike, ekonomike dhe njerëzore, kanë një interes të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit dhe për një rajon më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe më të begatë.
Në përfundim të takimit, Ministri Hoxha shprehu kënaqësinë për të mirëpritur homologun Gerapetritis në Shqipëri në një të ardhme të afërt, për të vijuar dialogun dhe bisedimet në interes të të dy vendeve.