FOKUS – Rreth 222 mijë vdekje të parakohshme në BE, të lidhura me ndotjen e ajrit
KOPENHAGË, 23 nëntor /ATSH-DPA/- Rreth 222 mijë vdekje të parakohshme në Bashkimin Evropian, gjatë vitit 2024 u lidhën me ekspozimin afatgjatë ndaj përqendrimeve të larta të grimcave të imëta në ajër, sipas një njoftimi të publikuar sot nga Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA).
Studimi vlerëson numrin e vdekjeve, që mund të ishin shmangur nëse përqendrimi i këtyre grimcave, një prej ndotësve kryesorë të ajrit, do të ishte në përputhje me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Sipas agjencisë, numri i vdekjeve të lidhura me këtë ndotje, ka rënë ndjeshëm në planin afatgjatë. Në periudhën 2005-2024, ai u ul me 57,2%.
Në këtë mënyrë, Bashkimi Evropian ka përmbushur objektivin e tij për reduktimin me 55% deri në vitin 2030 të vdekjeve të lidhura me grimcat e imëta, krahasuar me nivelin e vitit 2005.
BE-ja synon që deri në vitin 2050, ndotja e ajrit të ulet në nivele, që nuk përbëjnë më rrezik për shëndetin.
Agjencia Evropiane e Mjedisit ia atribuon këtë përmirësim, zbatimit të masave në nivel ndërkombëtar, kombëtar dhe lokal.
Sipas saj, nivelet e ndotjes janë ulur në sektorët e ngrohjes së banesave, transportit dhe industrisë.
Megjithatë, normat e vdekshmërisë të lidhura me ndotjen e ajrit, mbeten më të larta në vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore.
Studime të shumta kanë dokumentuar efektet e dëmshme të ndotësve të ajrit në shëndetin e njeriut.
Megjithatë, jo e gjithë ndotja shkaktohet drejtpërdrejt nga aktiviteti njerëzor.
Burime të tjera përfshijnë pluhurin e shkretëtirave dhe emetimet nga zjarret në pyje.
Ndotja e shkaktuar nga njeriu vjen kryesisht, nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile.
Rrezik për shëndetin paraqesin gjithashtu, grimcat që çlirohen nga konsumimi i gomave dhe frenave të automjeteve. /