E hënë, 23 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Lirohet nga burgu shqiptari që hakeroi “GTA 6”, ja veprimi i parë që bëri i riu pas vendimit! Gjykatësi e paral

Lirohet nga burgu shqiptari që hakeroi “GTA 6”, ja veprimi i parë që bëri i riu pas vendimit! Gjykatësi e paral

Hakeri me origjinë shqiptare i cili publikoi video të lojës “Grand Theft Auto” kur ishte ende e papublikuar, është liruar me kusht pasi ka shlyer pjesën më të madhe të një dënimi shtatëvjeçar.

Arion Kurtaj, nga Oksfordi, i cili ka kryer shkelje të shumta ligjore, u lirua nga paraburgimi, me paralajmërimin e gjykatësit i cili i tha: “Mos lejo që kjo të ndodhë më.”

Kurtaj, tashmë 21 vjeç, kreu sulme kibernetike ndaj disa kompanive dhe individëve, përfshirë “Rockstar Games”, krijuesin e lojës “GTA 6”. Ai u përpoq t’i merrte atyre para pasi vodhi fragmente të lojës ende të papërfunduar, në vitin 2022.

Të hënën e kaluar, në Gjykatën e Kurorës në Woolwich, Kurtaj pranoi fajësinë për sulmin ndaj “Rockstar”, si dhe për disa sulme të tjera të kryera kur ishte 16 dhe 17 vjeç, në bashkëpunim me grupin e hakerëve “Lapsus$”.

Fillimisht, për shkak të shkallës së rëndë të autizmit, Kurtaj ishte dënuar me qëndrim të pacaktuar në një institucion spitalor të sigurisë së lartë.

Megjithatë, në një zhvillim të pazakontë, më vonë u vlerësua se ai ishte në gjendje të përballej me gjyqin, ndaj në janar u transferua në një burg të zakonshëm. Tani, ai është dënuar dhe liruar në të njëjtën ditë.

Atij i është vendosur një “Urdhër për Parandalimin e Krimeve të Rënda”, i cili do të jetë në fuqi për pesë vjet. Ky urdhër kufizon aktivitetin e tij në internet, duke përfshirë ndalimin e përdorimit të platformave “Telegram” dhe “Discord”.

Policia e Londrës deklaroi se ky rast “nxjerr në pah rreziqet drejt të cilave mund të tërhiqen të rinjtë në hapësirën online”.

Kurtaj kreu sulme ndaj “Rockstar Games”, “Revolut” dhe “Uber” ndërsa ndodhej në liri me kusht dhe nën mbrojtjen e policisë në një hotel “Travelodge” në Bicester.

Ai ndodhej aty për t’u mbrojtur nga hakerë rivalë, të cilët e kishin kërcënuar për shkak të sasisë së “Bitcoin”-eve që ai kishte vjedhur.

Edhe pse kompjuteri i ishte konfiskuar, Kurtaj arriti të sulmonte “Rockstar” duke përdorur një pajisje “Amazon Fire Stick” të lidhur me televizorin e dhomës së hotelit, së bashku me një tastierë dhe maus me “Bluetooth”.

Ai vodhi të dhëna të brendshme të kompanisë, përfshirë 90 video-fragmente që shfaqnin rreth 60 minuta lojë nga “GTA 6”, një titull që ishte mbajtur në fshehtësi të plotë deri në publikimin e tij javën e kaluar.

Më pas, ai hyri në sistemin e brendshëm të komunikimit “Slack” të kompanisë dhe shkroi: “Nëse ‘Rockstar’ nuk më kontakton në ‘Telegram’ brenda 24 orëve, do të filloj të publikoj kodin burimor.” Kompania refuzoi të bashkëpunonte, ndaj ai i publikoi fragmentet dhe kodin burimor në një forum, nën emrin e përdoruesit TeaPotUberHacker.

Rockstar Games deklaroi se rimëkëmbja pas sulmit kibernetik i kushtoi kompanisë 5 milionë dollarë, pa llogaritur mijëra orë pune të stafit.

Kur u shpall dënimi, ai u ngrit në këmbë dhe buzëqeshi.

Gjykatësi Turner iu drejtua duke i thënë:

“Je një i ri shumë i talentuar,” dhe e paralajmëroi: “Mos lejo që kjo të ndodhë më.”

Lini një koment