Idris Elba: “Jeta ime do të kishte qenë krejt ndryshe pa ndihmën e mbretit Charles”
LONDËR, 23 nëntor, ATSH/ Aktori britanik Idris Elba ka rrëfyer se jeta dhe karriera e tij mund të kishin marrë një drejtim krejt tjetër pa mbështetjen që mori në adoleshencë nga fondacioni i krijuar nga mbreti Charles III.
Në dokumentarin e ri të Netflix, The Trust, që do të publikohet më 26 dhjetor, aktori 54-vjeçar kujton se si një grant prej 1 500 paundësh nga organizata e atëhershme The Prince’s Trust i mundësoi të ndiqte formimin artistik në National Youth Music Theatre.
Ishte një mundësi që do të ndikonte në rrugëtimin e tij drejt suksesit ndërkombëtar, me role të njohura në serialet The Wire dhe Luther, si edhe në prodhime të mëdha hollivudiane.
Në dokumentar, Elba shfaqet në biseda me mbretin Charles III, përfshirë një shëtitje në Balmoral, ku të dy reflektojnë mbi rëndësinë e mbështetjes së të rinjve.
Mbreti shpreh gjithashtu krenarinë për arritjet e aktorit, ndërsa në një tjetër moment Elba i prezanton atij nënën e tij.
Dokumentari shënon 50-vjetorin e fondacionit The King’s Trust, të themeluar në vitin 1976 nga Charles, atëherë princ i Uellsit, me fondet që kishte marrë pas përfundimit të shërbimit në Marinën Mbretërore.
Sipas organizatës, më shumë se 1,5 milionë të rinj kanë përfituar nga programet e saj, që synojnë t’u krijojnë mundësi për arsimim, punësim dhe sipërmarrje.
Filmi ndjek gjithashtu historitë e tre të rinjve që po përpiqen të realizojnë ambiciet e tyre me ndihmën e fondacionit.
Elba, i cili sot është ambasador i vullnetit të mirë i organizatës, thekson se mbështetja e marrë në një moment vendimtar mund të ndryshojë të ardhmen e një njeriu.