E hënë, 23 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Antifashizmi, trashëgimi që duhet mbrojtur / Historianët dhe veteranët bëhen bashkë në Akademinë e Shkencave

Antifashizmi, trashëgimi që duhet mbrojtur / Historianët dhe veteranët bëhen bashkë në Akademinë e Shkencave

Nën tingujt e Himnit Kombëtar nisi konferenca shkencore e zhvilluar në Akademinë e Shkencave në Tiranë, me temë “Mbi antifashizmin e popullit shqiptar , një vlerë kombëtare dhe një trashëgimi historike që duhet mbrojtur.

Studiues, historianë dhe përfaqësues të shoqatave të veteranëve u bënë bashkë për të rikthyer në vëmendje një prej kapitujve më të rëndësishëm të historisë shqiptare, Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Avokati Idajet Beqiri, nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës, vuri theksin te antifashizmi si vlerë kombëtare, e lidhur ngushtë me lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve.

“Antifashizmi është një vlerë kombëtare e popullit shqiptar, një pjesë e rëndësishme e identitetit të tij historik dhe e ndërgjegjes së tij për lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin kombëtar. Historia na mëson se liria dhe pavarësia nuk mund të sigurohen duke u mbështetur te pushtuesi. Ato fitohen me qëndresë, me sakrifica dhe me vullnetin e një populli për të qenë zot i fateve të veta.”

Një tjetër çështje e ngritur gjatë konferencës ishte rreziku i humbjes së kujtesës historike dhe përgjegjësia e institucioneve për ruajtjen e saj.

Ndër të tjera avokat Beqiri përcolli edhe një mesazh për brezat e sotëm, duke theksuar se antifashizmi mbetet një vlerë që duhet mbrojtur dhe trashëguar, veçanërisht në një kohë kur shoqëritë përballen me ekstremizmin, intolerancën dhe gjuhën e urrejtjes.

Konferenca solli në vëmendje rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike, dokumentimit të dëshmive dhe përcjelljes së vlerave antifashiste te brezat e rinj, si pjesë e trashëgimisë kombëtare shqiptare.

Lini një koment