Nurellari: Asambleja e Tiranës, demonstrim force i Ramës dhe përpjekje për të shuar një pol alternativ pushteti
Analisti Adri Nurellari e ka cilësuar Asamblenë e fundit të Partisë Socialiste në Tiranë si një demonstrim force të kryeministrit dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama, me synimin për të treguar se situata brenda partisë mbetet nën kontroll dhe për të shmangur krijimin e qendrave alternative të pushtetit.
I ftuar në emisionin “3D” me Alban Dudushin, Nurellari u shpreh se mesazhi kryesor i mbledhjes ishte disiplinimi i strukturave politike dhe forcimi i kontrollit të drejtuesit të PS-së mbi partinë.
“Unë Asamblenë e fundit e pashë si një demonstrim force nga ana e Edi Ramës, për të treguar se e ka situatën nën kontroll. Për mua ishte një ripërsëritje e rolit që ka Asambleja e Përgjithshme në çdo parti politike, si organi më i rëndësishëm vendimmarrës. Ishte një lloj retorike e kryetarit për të dhënë sinjalin se po disiplinon situatën brenda partisë dhe po vendos qartësisht kufijtë e autoritetit të tij”, u shpreh Nurellari.
Sipas tij, lëvizjet e bëra në strukturat e Partisë Socialiste tregojnë gjithashtu përpjekjen për të neutralizuar çdo qendër alternative ndikimi, veçanërisht në Tiranë, e cila për shkak të peshës politike dhe ekonomike mbetet qendra më e rëndësishme e pushtetit lokal në vend.
“U duk qartë se kishte edhe një përpjekje për të prishur një qendër alternative pushteti. Nëse ka ekzistuar një pol alternativ apo rival brenda Partisë Socialiste, ai është lidhur jo vetëm me figurën publike të Erion Veliajt, por edhe me peshën ekonomike dhe politike që ka Bashkia e Tiranës. Tirana ka qenë gjithmonë një qendër ku janë përqendruar interesa të shumta politike, ekonomike dhe institucionale, ndaj kontrolli mbi të shihet si shumë i rëndësishëm”, deklaroi ai.
Nurellari shtoi se zhvillimet e fundit brenda socialistëve mund të interpretohen edhe si një masë parandaluese për të shmangur fragmentimin e partisë përpara proceseve të ardhshme politike dhe zgjedhore.
“Duket qartë se ekziston një lloj shqetësimi për mundësinë e një fragmentimi potencial para zgjedhjeve. Kjo është arsyeja pse po shohim një përqendrim më të madh të kontrollit politik dhe organizativ. Mesazhi që u dha ishte se partia duhet të qëndrojë e bashkuar dhe e disiplinuar nën drejtimin e një qendre të vetme vendimmarrjeje”, theksoi analisti.
Sipas Nurellarit, Asambleja nuk ishte vetëm një mbledhje e zakonshme partiake, por edhe një sinjal politik i qartë për riorganizimin e strukturave dhe konsolidimin e autoritetit të Edi Ramës në prag të sfidave të ardhshme politike.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.