U kap me kufje gjatë provimit teorik të patentës, shqiptari del në gjyq në Belgjikë | JavaNews.al
Një burrë pesëdhjetë e njëvjeçar me banim në Tongeren të Belgjikës ka dalë të hënën para gjykatës penale korrigjuese në Turnhout, i akuzuar për tentativë mashtrimi gjatë zhvillimit të një provimi teorik për leje drejtimi në qendrën e provimeve në Geel. Shtetasi shqiptar, i identifikuar me inicialet A.K., u pikas në flagrancë nga një përgjegjës i qendrës së testimit në çastin kur po përpiqej t’i fshihte kufjet pas përfundimit të provimit, çka solli edhe ndërhyrjen e policisë.
Gjatë seancës gjyqësore, prokurorja Veerle Van Gorp shpjegoi dinamikën e ngjarjes duke vënë në dukje se i akuzuari kishte futur fillimisht një pajisje në vesh në nisje të testimit dhe më pas kishte vendosur edhe kufjet e tij të mëdha mbi veshë. Sipas prokurorisë, burri arriti t’u përgjigjej saktë pothuajse të gjitha pyetjeve të provimit teorik, ndërsa në momentin që hoqi kufjet e mëdha tentoi të fshihte kufjet e vogla brenda veshit, duke pretenduar se ato u përkisnin vajzës së tij dhe se kishte nevojë të komunikonte me kolegët e tij.
Organi i akuzës i kërkoi gjykatës që ndaj pesëdhjetë e njëvjeçarit të shqiptohet një dënim me punë në dobi të komunitetit, ndërsa vetë i akuzuari vijoi të këmbëngulë se nuk kishte pasur asnjë qëllim të keq apo mashtrues. Nga ana e tij, avokati mbrojtës kërkoi lirimin e klientit të tij, duke argumentuar se ai flet shpesh në telefon dhe përdor kufje për të mos mbajtur celularin në dorë, si dhe duke shtuar se priste një telefonatë nga një kolegu gjatë kohës që po zhvillonte provimin dhe se kishte përdorur kufjet e vajzës së tij.
I pyetur nga gjyqtari lidhur me arsyen pse kishte udhëtuar nga Tongereni në Geel për t’iu nënshtruar provimit, i akuzuari deklaroi se atë ditë kishte gjetur vend të lirë vetëm në atë qendër. Gjykata pritet të shpallë vendimin e saj përfundimtar për këtë çështje më njëzet e një dhjetor.