E hënë, 23 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›“Protesta humbi mbështetjen në terren”, gazetarja: Sot zhvillohet kryesisht në rrjetet sociale | JavaNews.al

“Protesta humbi mbështetjen në terren”, gazetarja: Sot zhvillohet kryesisht në rrjetet sociale | JavaNews.al

Tirana ka një kulturë dhe një traditë të gjatë protestash dhe nuk e vrau kjo protestë frikën. Kështu u shpreh në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN gazetarja Kostana Morava, sipas të cilës qytetarët kanë dalë vazhdimisht në shesh për kauza të ndryshme.

“Nuk kam rënë kurrë dakord me një slogan që është slogan tipik i këtyre organizatave sorosiane. U vra frika. Cila frikë? Se unë nuk kam patur ndonjëherë frikë të dal në shesh edhe të protestoj. Kemi dalë dhe kemi protestuar. Qytetarët e Tiranës gjithmonë kanë protestuar dhe mbaj mend atë të armëve kimike. Ka qenë një lëvizje masive ajo kundër armëve kimike dhe nuk ngeli shesh e rrugë e Tiranës pa u mbushur me njerëz dhe me qytetarë. Dhe ka vazhduar kjo kulturë. Tirana ka këtë kulturë, është kulturë e qytetit që të protestosh. Nuk është se kjo që po ndodh tani na ka ardhur sot papritur. Mund të ketë ardhur papritur për disa njerëz që nuk kanë protestuar kurrë dhe mund t’ju duket sikur kanë shpikur rrotën. Po këtu ka njerëz, unë jam një nga ato që kanë protestuar që të rinj fare dhe kanë qenë për kauza të ndryshme dhe qyteti edhe me 10 veta ka qenë protesta dhe me 10.000 veta protesta në Tiranë ka patur gjatë gjithë kohës”, tha ajo në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Sipas saj, protesta e fundit pati një mbështetje të konsiderueshme në fillim, por sot pjesa më e madhe e saj vijon në rrjetet sociale dhe nuk ka më të njëjtin mobilizim në terren. Ajo akuzoi opozitën për përdorimin e pakënaqësisë së qytetarëve për kapital politik.

“Për shkak se kishte një mbështetje të jashtëzakonshme nga një pjesë e madhe e organizatave të shoqërisë civile, të cilat kanë dhe fonde për ta mbështetur për shkak se kishte shumë të pakënaqur aty brenda, bëhet fjalë për një opozitë e cila s’po lëvizte dot nga vendi. Kishte dy-tre -katër vjet sa vjet ka që proteston opozita me këtë mënyrë me djegien e kazanëve? Digjeshin kazanët e kishim rrugën e Elbasanit të bllokuar, bulevardin të bllokuar me vite të tëra nga protestat e opozitës. Nuk është diçka e re kjo që ndodh. Pra ky është një qytet i cili në historinë e tij është dëshmitar i protestave të ndryshme të herëpashershme. Çfarë ndodh tani është që po pati në një moment një mbështetje masive të qytetarëve. Pse? Sepse pjesa më e madhe e protestës u zhvillua në rrjetet sociale dhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë një protestë virtuale. Në terren nuk ka më atë mbështetje kjo protestë pra që nga ajo e qershorit që ka patur. Nuk ka më qytetarë të cilët janë të trembur dhe të pasigurtë tashmë janë kthyer në opozitarë të protestës për shkak të mënyrës se si degjeneroi dhe degrado protesta. Pakënaqësia është çështje tjetër dhe pakënaqësia shumë mirë që është dhe të jetë gjithmonë për çdo qeveri, jo për qeverinë e Ramës, por për çdo qeveri. Nuk kërkohet të vritet pakënaqësia apo të fshihet pakënaqësia apo të zhduket pakënaqësia, por ajo që unë them është që nuk mund të përdorësh pakënaqësinë reale të qytetarëve për kapital politik të disave që janë lodhur duke qenë në opozitë dhe që nuk vijnë dot në pushtet. Jo për faj të qeverisë, por për faj të mosorganizimit të tyre të brendshëm”.

Morava u ndal edhe te dhuna gjatë protestave dhe sistemi i gjobave për shkelësit, duke mbrojtur masat ndaj personave që kanë dëmtuar pronën publike.

“Sistemi i gjobave, është për njerëzit që dhunojnë edhe për njerëzit që na dogjën qytetin, se atë e kemi përjetuar”.

Lini një koment