E hënë, 23 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Kush do të jetë kandidati i PS-së për Tiranën? Kikia: Ja pse kjo është sfidë e vështirë për Ramën

Kush do të jetë kandidati i PS-së për Tiranën? Kikia: Ja pse kjo është sfidë e vështirë për Ramën

Analisti Mentor Kikia e konsideroi përzgjedhjen e kandidatit të Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës si sfidë të vështirë për këtë forcë politike. I ftuar në “Tonight” me Mirela Milorin, ku analizoi zhvillimet politike në vend dhe përgatitjet e partive për zgjedhjet e ardhshme vendore, Kikia tha se kandidati i PS-së do të duhet të jetë një figurë sa më pak e atakueshme nga akuzat dhe pakënaqësitë që kanë cënuar besueshmërinë publike të partisë.

Sipas tij, protestat pesëmujore dhe historitë e korrupsionit kanë ndikuar në perceptimin publik për socialistët, ndaj personi që do të garojë për Tiranën do të mbartë edhe koston politike të këtyre zhvillimeve.

“Unë mendoj që pjesa e kandidatit të Tiranës është më e vështira, pasi përveç emrit të kandidatit, PS-ja do të duhet të zgjedhë një njeri sa më pak të atakueshëm për shkak të akuzave apo rënies së besimit te PS-ja si forcë politike. Duam apo nuk duam, protestat pesëmujore e kanë goditur shumë besueshmërinë publike. Edhe historitë e shumta të korrupsionit kanë bërë që PS-ja të cenohet në besueshmërinë e saj publike. Kandidati që do të dalë do të mbartë patjetër edhe një përgjegjësi për këtë. Këtu besoj se do të jetë dilema e madhe: nëse do të jetë një njeri që vjen jashtë gardhit partiak, i shkëputur nga këto përgjegjësi publike dhe që mund të prezantohet si një zgjedhje e pastër, e virgjër në këtë drejtim, apo do të duhet të merret një njeri që të jetë edhe politik, edhe me background administrativ, por që do të paguajë këto kosto. Braçe është tërhequr, përmendet edhe Arbër Hajdari. Unë mendoj se Rama mund të jetë ende në konfigurim, por kam një bindje që Rama nuk gabon në këto intuita. Rrallëherë ka gabuar Rama, pavarësisht se ku e ka gjetur kandidatin. Intuita e tij është e jashtëzakonshme për të kapur të duhurin. Tani, i duhuri për të se nëse do të jetë i duhuri për qytetin, kjo është tjetër histori. Por mendoj që Tiranës i duhet një njeri që të ketë edhe përvojën e menaxhimit. Nuk është thjesht një produkt politik”, tha Kikia.

Lini një koment