Gjykata Supreme e Danimarkës mbështet dëbimet sipas ligjit “ghetto”, nuk sheh diskriminim etnik
Gjykata Supreme e Danimarkës vendosi të hënën se një shoqatë banesash nuk ka diskriminuar mbi baza etnike kur ndërpreu 91 kontrata qiraje për të mos lejuar që një lagje të klasifikohej si “ghetto e fortë”, duke mbështetur kështu një shtyllë të qasjes së ashpër të vendit ndaj imigracionit, siç njofton Reuters.
Ligji danez i banesave, i njohur si ligji “ghetto” dhe i miratuar në vitin 2018, lejon zhvendosjen e banorëve nga zonat me shumicë minoritare, në atë që qeveria e ka përshkruar si përpjekje për të nxitur integrimin. Gjykata e Bashkimit Evropian kishte vendosur vitin e kaluar se ligji mund të përbënte diskriminim etnik, por ia la vendimin përfundimtar gjykatave kombëtare.
Vendimi i Gjykatës Supreme konfirmoi një vendim të vitit 2022 të një gjykate më të ulët në shtatë çështje të ngritura nga qiramarrës të dëbuar të zonës Nøjsomhed në Helsingør, në veri të Kopenhagës. Gjykata gjeti se kriteri i ligjit për “imigrantët dhe pasardhësit nga vendet joperëndimore” është neutral dhe nuk është masë e origjinës etnike, dhe se edhe synimi për ta ulur pjesën e tyre në lagje në 50 për qind ose më pak nuk do të përbënte diskriminim të drejtpërdrejtë.
Ministri i Banesave, Jacob Mark, tha në një deklaratë se ishte i kënaqur me vendimin, duke shtuar se ligji “forcon sigurinë, kohezionin social dhe integrimin”. Danimarka zyrtarisht ndaloi t’i referohej “ghettove” në vitin 2021. Avokati i banorëve të dëbuar, Eddie Khawaja, tha se gjykata ishte përqendruar më shumë te formulimi i ligjit sesa te mënyra si ai zbatohet në terren, ndërsa profesori Frederik Waage i Universitetit të Danimarkës Jugore tha se vendimi i BE-së u la gjykatave daneze një hapësirë që po shfrytëzohet plotësisht.
Danimarka ishte ndër vendet e para të BE-së që futi një qasje të ashpër ndaj imigracionit dhe integrimit vitet e fundit, dhe politikat e saj janë bërë gjithnjë e më ndikuese te qeveritë e tjera evropiane. Javën e kaluar, Danimarka dhe katër vende të tjera të BE-së njoftuan plane për të dërguar azilkërkuesit e refuzuar në një qendër dëbimi në Ruandë.