E martë, 24 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Abissnet Superiore›Kampionët vuajnë larg shtëpisë, transfertat po kthehen në problem

Kampionët vuajnë larg shtëpisë, transfertat po kthehen në problem

Egnatia vazhdon të mbajë fort kreun e klasifikimit, por humbja e fundit në kampionat ndaj Skënderbeut ka rikthyer në vëmendje një problem që po shoqëron skuadrën rrogozhinase gjatë këtij sezoni: paraqitjet larg shtëpisë.

Kampionët nuk arritën të merrnin pikë në Korçë, duke regjistruar një tjetër rezultat negativ në transfertë, ndonëse kjo humbje nuk ndryshon pozitat e tyre në krye të renditjes. Ajo që bie më shumë në sy është kontrasti mes Egnatias që shfaqet në Rrogozhinë dhe asaj që luan në fushat kundërshtare. Në shtëpinë e saj, skuadra ka treguar një siguri dhe forcë të admirueshme, duke fituar të gjitha ndeshjet e zhvilluara përpara tifozëve të saj. Një ecuri që dëshmon se në Rrogozhinë Egnatia është një kundërshtar shumë i vështirë për t’u përballuar dhe se terreni i saj është kthyer në një pikë të fortë të sezonit. Por panorama ndryshon ndjeshëm kur rrogozhinasit largohen nga shtëpia.

Deri më tani, Egnatia ka regjistruar tri humbje në kampionat dhe të tria kanë ardhur në transfertë. E fundit ishte ajo në Korçë përballë Skënderbeut, një tjetër tregues se skuadra ende nuk ka arritur të shfaqë të njëjtin autoritet dhe qetësi edhe jashtë fushës së saj. Duket se Egnatia vazhdon ta ndiejë disi presionin kur luan larg Rrogozhinës. Një element që duhet marrë në konsideratë, pavarësisht se pozitat në klasifikim mbeten të palëkundura. Kreu i kampionatit nuk është në diskutim për momentin, por për një skuadër që synon të jetë protagoniste deri në fund, konsolidimi i rezultateve në transfertë mbetet një domosdoshmëri. Egnatia ka treguar se di të fitojë dhe të dominojë në shtëpi, por tashmë i duhet të dëshmojë se mund ta bëjë këtë edhe në stadiumet kundërshtare.

FOKUSI NË EUROPË – Gjithsesi, humbja në Korçë është lënë menjëherë pas krahëve. Për Egnatian nuk ka shumë kohë për të analizuar atë që ndodhi në kampionat, pasi në horizont është një sfidë me rëndësi të veçantë në arenën europiane. Vëmendja e skuadrës është përqendruar tashmë te përballja me Lincoln Red Imps në Conference League, një takim që merr rëndësi të jashtëzakonshme për vazhdimësinë e aventurës ndërkombëtare të rrogozhinasve.

Për Egnatian, kjo mund të konsiderohet si një nga shanset e fundit për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit në raundin tjetër. Deri në këtë fazë të kompeticionit, skuadra nuk ka arritur të sigurojë ende asnjë fitore, ndaj sfida e radhës merr vlerën e një prove të vërtetë karakteri. Një rezultat pozitiv do të ishte i rëndësishëm jo vetëm për pikët dhe pozicionin në garën europiane, por edhe për moralin e skuadrës, e cila kërkon të tregojë se mund të jetë konkurruese edhe përtej kampionatit shqiptar.

Në këtë situatë, klubi kërkon edhe mbështetjen e tifozëve. Egnatia ka bërë thirrje për një prezencë sa më të madhe në stadiumin “Air Albania”, duke synuar të krijojë një atmosferë sa më pozitive në një ndeshje ku mbështetja nga shkallët mund të jetë një faktor shtesë për skuadrën. Mes kampionatit, ku vazhdon të kryesojë e qetë, dhe Europës, ku ende kërkon fitoren e parë, Egnatia ndodhet përpara një tjetër prove të rëndësishme.

Lini një koment