E martë, 24 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Amerika›Kontrata për naftën venezueliane, JD Vance nën hetim nga Senati amerikan

Kontrata për naftën venezueliane, JD Vance nën hetim nga Senati amerikan

Një komision i Senatit amerikan po heton nëse zëvendëspresidenti i SHBA-ve, JD Vance, ka luajtur një rol në dhënien e një kontrate fitimprurëse për naftën venezueliane gjigantit të tregtimit të mallrave Vitol, siç njofton Shqiptarja.com duke iu referuar një letre të siguruar nga Reuters. Mes Vance dhe përfaqësuesit të kompanisë pati një takim një javë përpara se SHBA-të të arrestonin Nicolas Maduro-n.

Hetimi vjen pas një raportimi ekskluziv të Reuters, i cili zbuloi detaje mbi një takim mes Vance dhe tregtarit të Vitol-it, John Addison, një javë përpara se Shtetet e Bashkuara të pushtonin Venezuelën në janar dhe të arrestonin Maduro-n. Senatorja demokrate nga New Hampshire, Maggie Hassan, i ka shkruar Vance se ekziston mundësia që ai të ketë përdorur pozicionin e tij për të ndihmuar një donator të rëndësishëm politik të siguronte mundësi fitimprurëse biznesi në sektorin e naftës venezueliane.

Hassan, e cila do të marrë detyrën e kryetares së Komisionit të Senatit për Sigurinë Kombëtare dhe Çështjet Qeveritare në janar, po kërkon një sërë dokumentesh nga zyra e Vance deri më 14 dhjetor, mes tyre komunikimet mes Vance ose stafit të tij dhe Addison-it apo kompanisë. Sipas një burimi, takimi u zhvillua në dhjetor 2025, gjatë një vizite të Vance në Yellowstone Club të Montanës; të dyja palët e kanë mohuar që takimi të ketë ndodhur, ndërsa sekretari për shtyp i Vance, Luke Schroeder, deklaroi se takimi i pretenduar nuk ka ndodhur kurrë.

Sipas të dhënave të fluturimeve që citon Hassan, avioni privat i Addison-it dhe avioni qeveritar që transportonte Vance ndodheshin në të njëjtin aeroport në Montana ditën kur raportohet se është zhvilluar takimi. Addison kishte qenë një nga mbështetësit e hershëm të Vance, duke kontribuar me 300 mijë dollarë në vitin 2022 për komitetin “Protect Ohio Values”.

Addison ka konfirmuar për Reuters se më 5 janar, dy ditë pas operacionit që rrëzoi Maduro-n, Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, e telefonoi me një ofertë: administrata e presidentit Donald Trump planifikonte të niste shitjen e naftës bruto venezueliane te blerësit ndërkombëtarë dhe donte të dinte nëse Vitol ishte e interesuar ta merrte përsipër këtë detyrë. Departamenti i Energjisë e konfirmoi telefonatën.

Brenda pak ditësh, Vitol dhe konkurrentja e saj Trafigura siguruan licenca të posaçme për të shitur naftën e Venezuelës dhe që atëherë kompanitë kanë fituar qindra miliona dollarë nga tregtimi i naftës bruto, sipas vlerësimeve të ekspertëve. Shtetet e Bashkuara administruan më shumë se 12 miliardë dollarë të të ardhurave nga nafta e Venezuelës gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, sipas një raporti të Departamentit të Shtetit.

Lini një koment