Kosova dhe Shqipëria synojnë thellimin e bashkëpunimit në edukimin ushtarak
Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë synojnë të avancojnë bashkëpunimin në fushën e edukimit ushtarak, siç njofton KosovaPress.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim komandantin e Akademisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneralmajor Ferdinant Dimo.
Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy forcave, me theks të veçantë në fushën e arsimimit dhe edukimit ushtarak, shkëmbimin e përvojave profesionale, si dhe mundësitë për zgjerimin dhe avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Jashari ka vlerësuar bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet dy forcave, duke theksuar rëndësinë e koordinimit të aktiviteteve në fushën e edukimit dhe trajnimit ushtarak, në funksion të zhvillimit profesional të personelit.
Në përfundim, të dy gjeneralët riafirmuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy institucioneve ushtarake, duke vlerësuar se bashkëpunimi në arsimimin dhe edukimin ushtarak përbën dimension të rëndësishëm në zhvillimin profesional dhe institucional të të dy forcave.